Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve të fundit të Serbisë për të penguar realizimin e Fondit të Qeverisë së Kosovës, i cili ka për qëllim mbështetje financiare për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Në një postim të tij në rrjetet sociale, Kamberi ka akuzuar ministrin serb për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Tomislav Zhigmanov, duke e cilësuar atë si një “marionetë kroate të Vuçiqit”, dhe ka denoncuar përpjekjet e tij si një masë tjetër diskriminuese ndaj shqiptarëve të Luginës.
Zhigmanov ka kërkuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) anulimin e konkursit për subvencionet në bujqësi, të cilat financohen nga Republika e Kosovës. Sipas Kamberit, ministri serb ka kërcënuar se nëse KKSH nuk anulon konkursin, ai do ta bëjë këtë përmes ministrisë së tij.
Deputeti shqiptar theksoi se këto veprime janë një përpjekje e qartë nga Beogradi për të bllokuar ndihmën e Kosovës për shqiptarët e Luginës dhe për të penguar zhvillimin ekonomik të rajonit. Ai akuzoi gjithashtu subjektin politik lokal “Alternativa për Ndryshim” si “kalin e trojës,” që bashkëpunon me Beogradin për të penguar ndikimin e Kosovës në Luginë.
“Diskriminimi në funksion të shpopullimit”
Kamberi nënvizoi se kjo masë e re është pjesë e një politike më të gjerë diskriminuese të Serbisë ndaj shqiptarëve, duke përfshirë pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave dhe mosintegrimin në institucionet shtetërore. Sipas tij, këto politika janë në funksion të shpopullimit të Luginës së Preshevës.
Thirrje për veprim nga Kosova dhe Shqipëria
Kamberi ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të adresojë këtë çështje me prioritet në bisedimet e ardhshme në Bruksel, dhe ka bërë thirrje që Shqipëria të ngrejë këtë çështje në forumet ndërkombëtare, si një problem i rëndësishëm që ndikon në të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai përfundoi me një apel për “rezistencë aktive”, duke kërkuar bashkimin e shqiptarëve të Luginës dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë, për t’u kundërvënë këtyre politikave diskriminuese dhe për të ruajtur të drejtat e tyre.
Ky reagim i Kamberit ka shpërfaqur edhe njëherë nevojën për të vendosur reciprocitet në të drejta mes shqiptarëve të Luginës dhe serbëve në Kosovë, për të siguruar barazi dhe respekt për të drejtat e të dy grupeve etnike në këtë pjesë të rajonit./UBTNews/