UBT News

Shabani e Qerimi deklarohen sërish të pafajshëm për spiunazh në favor të BIA-s serbe

Të akuzuarit Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë dalë sërish para Gjykatës, ku janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale “Spiunazh”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të dy të pandehurit dyshohen se kanë vepruar si bashkëpunëtorë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), duke mbledhur dhe dërguar informacione e materiale të ndjeshme në favor të shtetit serb.

Bedri Shabani akuzohet se nga një datë e papërcaktuar deri më 5 qershor 2024, kur edhe u arrestua, i ka dërguar BIA-s të dhëna për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe eprorët e saj. Ndër to përfshihen informacione për Spitalin Ushtarak të UÇK-së në Mollopolc të Shtimes si dhe për masakrën e Reçakut. Këto të dhëna ai ia kishte transmetuar zyrtarit të BIA-s, Sërgjan Rosiq, si dhe ish-komandantit të Policisë së Serbisë për Ferizajn, Bogoljub Janiçeviq, përmes telefonatave, e-mail-eve dhe takimeve fizike në Serbi.

Ndërkaq, Muharrem Qerimi akuzohet se nga viti 2012 e deri me arrestimin e tij më 5 qershor 2024, ka mbledhur dhe dërguar informacione lidhur me luftën e UÇK-së, emra të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, AKI-së, IPK-së, si dhe emra dëshmitarësh të Dhomave të Specializuara në Hagë. Informacionet i kishte kaluar po ashtu zyrtarit të BIA-s, Sërgjan Rosiq, përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve në territorin e Serbisë. /E.A/

Exit mobile version