Kompania japoneze Rakuten (kompani e tregtisë elektronike dhe e shitjes me pakicë në internet me seli në Tokio, themeluar nga Hiroshi Mikitani në 1997) ka marrë vendimin për të mos vazhduar bashkëpunimin me Barçën, kështu që klubi katalan ka filluar një proces për të gjetur një sponsor tjetër për sezonin e ardhshëm.
Rakuten nënshkroi rinovimin e kontratës me Barcelonën në tetor 2020, një marrëdhënie që filloi në vitin 2017. Kjo kompani pagoi 55 milionë euro në katër sezonet e para, por për të fundit e uli shifrën në 30 milionë për shkak të pandemisë. Kontrata aktuale përfundon në fund të këtij sezoni.
Opsionet për të gjetur një sponsor të fuqishëm nuk i mungojnë Barçës, edhe pse mungesa e Messit me siguri do të ndikojë në ofertë.
Bordi i ri drejtues i Barcelonës duhet të shumëfishojë përpjekjet në aspektet komerciale, pasi krahu i fanellës kërkon gjithashtu një sponsor të ri, sikurse stadiumi, që duhet t’i nënshtrohet rikonstruksionit.
“Punë dhe vetëm punë” është fjalia që përdor Joan Laporta. Klubi duhet të arrijë nivelin e të ardhurave që kishte para pandemisë, e cila ishte afër një miliard euro.