UBT News

Sermaxhaj për reagimin e Zhegrovës: Në FFK diçka po ndodh

Reagimi i Edon Zhegrovës në rrjetet sociale ku hodhi akuza për parregullsi brenda Federatës së Futbollit të Kosovës është pasuar me reagime të shumtë në opinionin sportdashës, disa në përkrahje të tij, e disa të tjerë kundër.

Anësori kosovar nuk ishte pjesë e Kosovës në fitoren 1-0 ndaj Izraelit në ndeshjen që u zhvillua në Prishtinë dhe ishte e vlefshme për kualifikimet për në Kampionatin Evropian Euro 2024 pasi skuadra e tij, Lille nuk e liroi për shkak se kishte ndeshje kampionale.

Pas kësaj, u mësua se lojtari nuk do të ftohet as për dy ndeshjet e radhës për Kosovën, atë ndaj Zvicrës dhe ndaj Bjellorusisë, veprim ky që solli reagimin e aspër të lojtarit.

Sipas analistit Genc Sermaxhaj, reagimi i Zhegrovës është sinjal se ka parregullsi brenda FFK-së. Ai tha për KosovaPress se FFK duhet të reagojë sa më shpejtë për ta rregulluar këtë situatë.

“Zhegrova ka reaguar edhe muaj më parë diçka ngjashëm në atë ndeshjen e kaluar ku me trajnerin nuk kishte si duket raporte të mira, por diçka është duke ndodhur tek Federata e Futbollit të Kosovës, çfarë është duke ndodhur ne nuk e dimë, por këto sinjale që po i japin vet futbollistët me këto deklarata që po i bëjnë në këto rrjetet e tyre sociale, çoftë ata vet apo përmes menaxherëve të tyre po lë të kuptohet se diçka nuk është duke funksionuar mirë. Ne nga jashtë nuk mund ta dimë saktë sepse edhe vet futbollistët nuk po e tregojnë shkakun kryesor, por në një far formë po tregojnë që diçka parregullsi ka aty brenda, por duhet të reagohet sa më shpejtë nga krerët e federatës, çoftë nëse këtu janë fajtorë futbollistët për pakënaqësitë e tyre individuale apo ka diçka brenda federatës, e për këtë duhet t’i bien në fije më herët që në eliminatoret tjera mos të kemi këso pakënaqësish”, ka thënë Sermaxhaj.

Kosova ndeshjen e radhës do të zhvillojë kundër Zvicrës në Basel të shtunën e ardhshme.

Exit mobile version