Ish-kapiteni i Barcelonës, Sergi Roberto, ka vendosur të vazhdojë karrierën e tij në nivelet më të larta të futbollit europian, duke refuzuar ofertat nga MLS në SHBA dhe Liga e Arabisë Saudite. Sipas raportimeve të “Mundo Deportivo,” mesfushori 32-vjeçar po shqyrton opsionet e tij për sezonin e ardhshëm, me disa klube të njohura që kanë shprehur interes për shërbimet e tij.
Sevilla, Girona, Ajax, West Ham, Fiorentina, dhe skuadra e Como, ku luan edhe bashkatdhetari i tij Cesc Fabregas, janë në mesin e ekipeve që dëshirojnë të nënshkruajnë me Roberto. Lojtari është i bindur se ende ka shumë për të ofruar në futbollin europian dhe dëshiron të vazhdojë të luajë në elitën e këtij sporti.
Roberto ka vetëm dy javë e gjysmë kohë për të marrë një vendim përfundimtar mbi destinacionin e tij të ri. Një faktor i rëndësishëm që e shtyn të mbyllë sa më shpejt këtë çështje është situata personale e tij; gruaja e tij është në pritje të fëmijës së tretë, dhe lojtari dëshiron të sigurojë stabilitetin e familjes së tij përpara fillimit të sezonit të ri.
Ndërkohë, Roberto u përshëndet nga tifozët e Barcelonës në një ceremoni lamtumire gjatë trofeut Gamper, ku ndau emocionet dhe reflektimet e tij mbi karrierën e gjatë me ekipin katalanas. Ai theksoi se titujt janë të rëndësishëm, por përvoja që ka fituar gjatë këtyre viteve në “Camp Nou” është ajo që mbetet më shumë në kujtimet e tij.
“Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë këtë rrugëtim në moshën 14-vjeçare. Titujt janë vetëm numra, çfarë mbetet është mbi të gjitha përvoja e këtyre viteve, me gjithçka që kemi përjetuar. Debutimi ndaj Celta ishte shumë i rëndësishëm për mua; të luaja në ekipin e parë të Barcelonës është ëndrra e të gjithë djemve që vijnë nga ‘La Masía’. Barcelona është dhe do të mbetet gjithmonë klubi i jetës sime, është klubi më i mirë në botë,” tha Roberto, duke përfunduar fjalimin e tij.
Tani mbetet për t’u parë se cili do të jetë klubi i ri i Sergi Roberto, teksa ai përgatitet për fazën e ardhshme të karrierës së tij në futbollin europian./UBTNews/