UBT News

Serbia shmangu përballjen me Kosovën në 3×3, Çoviq e konfirmon

Sportistët e Kosovës janë përballur në disa raste me përfaqësuesit e Serbisë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. Një tjetër përballje mes dy vendeve ishte paraparë të zhvillohej edhe në basketbollin 3×3 në konkurrencën e meshkujve, por ajo nuk u realizua.

Ekipi i Serbisë në basketbollin 3×3 nuk u paraqit në Lojërat Mesdhetare, ndërsa tashmë është bërë e qartë se një nga arsyet ishte shmangia e përballjes me Kosovën. Këtë e ka konfirmuar edhe presidenti i Federatës së Basketbollit të Serbisë, Nebojsha Çoviq.

Çoviq, i cili është i njohur edhe për angazhimin e tij politik dhe qëndrimet kundër Kosovës, ka deklaruar se Serbia nuk kishte pranuar të luante ndaj Kosovës.

Kosova dhe Serbia ishin shortuar në të njëjtin grup në basketbollin 3×3, së bashku me Turqinë dhe Portugalinë. Megjithatë, Serbia nuk garoi fare, ndërsa nga grupi në fazën tjetër avancuan Turqia dhe Portugalia. Kosova, ndërkohë, i humbi të dyja ndeshjet e zhvilluara.

Sipas Çoviqit, Kosova dhe Serbia nuk është dashur të vendosen në të njëjtin grup. Ai pretendon se Federata e Basketbollit të Serbisë, Ministria e Sportit dhe Komiteti Olimpik i Serbisë kishin paralajmëruar më herët se përballjet mes dy vendeve nuk duhej të ndodhnin.

“Që më 2 qershor, si Federatë e Basketbollit të Serbisë, si Ministri e Sportit dhe Komiteti Olimpik, kemi paralajmëruar se situata në Lojërat Mesdhetare nuk është në përputhje me qëndrimet e FIBA-s. FIBA ka një vendim që, kur ekziston mundësia që të takohen Serbia dhe Kosova, të bëhet short i dirigjuar. Kjo nuk është bërë”, ka thënë Çoviq në një program të “Radio Beogradit”.

Ai ka shtuar se Serbia nuk e njeh Kosovën dhe se për këtë arsye nuk kishte pranuar të luante ndaj saj.

Në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, Kosova është përballur me Serbinë edhe në sporte të tjera, përfshirë taekwondonë, pingpongun dhe xhudonë. Në pingpong, përballja ka ndodhur edhe në konkurrencën ekipore, përkatësisht në çiftet miks.

Në basketbollin ndërkombëtar, jashtë kuadrit të Lojërave Mesdhetare, përballjet Kosovë–Serbi nuk lejohen. E njëjta praktikë aplikohet edhe në futboll dhe hendboll, ku shorti modifikohet kur ekziston mundësia që dy përfaqësueset të përballen. Përballjet mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ato mes klubeve të të dyja vendeve, evitohen për arsye sigurie.

Në aspektin sportiv, Kosova nuk arriti rezultate të mira në basketbollin 3×3 në “Taranto 2026”, duke i humbur të gjitha ndeshjet në të dyja konkurrencat. Megjithatë, vëmendjen më të madhe e mori pikërisht një ndeshje që nuk u zhvillua, ajo që ishte paraparë mes Kosovës dhe Serbisë.

D.L

Exit mobile version