Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Luginën e Preshevës, ka hapur një konkurs për të mbështetur bujqit lokalë me një ndihmë financiare prej 1 milion eurosh, të dhuruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Konkursi ka tërhequr interesin e bujqve, të cilët kanë aplikuar për të përfituar subvencione për zhvillimin e kulturave bujqësore. Komisioni i KKSH-së ka nisur shqyrtimin e aplikimeve, ndërsa një situatë e re dhe shqetësuese ka lindur lidhur me kërcënimet e ardhura nga Serbia, që mund të bllokojnë këtë proces.
Kryetari i KKSH-së, Nevzad Lutfiu, ka deklaruar se Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve e Serbisë ka kërkuar që Këshilli të sqarojë se në cilën dispozitë ligjore është mbështetur për të hapur konkursin për subvencionimin e kulturave bujqësore, të financuar nga fondi i Kosovës. Ministria serbe ka dhënë një afat 8-ditor për të marrë një përgjigje, dhe në rast se KKSH nuk e anulon konkursin, ka kërcënuar se do ta ndërmarrë vetë këtë hap.
Lutfiu ka sqaruar se ky veprim erdhi pas një shkrese të dërguar nga subjekti politik Alternativa për Ndryshim, që aktualisht udhëheq në Bujanoc, e cila informoi Ministrinë serbe për hapjen e konkursit nga KKSH për subvencionimin e bujqësisë. Sipas Lutfiut, kjo kërkesë nga Serbia është një përpjekje për të bllokuar mbështetje financiare për bujqit shqiptarë të Luginës.
Në reagimin e tij, Lutfiu ka theksuar se KKSH nuk do të anulojë vendimin dhe se çdo veprim është ndërmarrë me qëllimin e vetëm për të mbështetur familjet shqiptare të Luginës, të cilat mbijetojnë nga sektori bujqësor. Ai ka theksuar gjithashtu se disa nga akterët e Alternativës për Ndryshim, që tani udhëhoqën Bujanocin, vetë kanë aplikuar për të përfituar nga ky konkurs, duke e bërë të pabazuar çdo kritikë ndaj tij.
Lutfiu ka njoftuar se do t’i përgjigjen kërkesës së Ministrisë serbe, por njëkohësisht ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që, nëse ky proces bllokohet nga Serbia, të ndërmarrë masa reciprociteti ndaj serbëve në Kosovë. Ai ka kujtuar se në vitin 2024, Qeveria serbe ka ndarë rreth 139 milionë euro për serbët në Kosovë, ndërsa ndihma e Kosovës për bujqit shqiptarë të Luginës mund të bllokohet në vlerën 1 milion euro.
Ky zhvillim ka krijuar një tension të ri në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar përpjekjet e Beogradit për të ndërhyrë në proceset që kanë të bëjnë me përkrahjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, dhe kërcënimet për të frenuar çdo iniciativë që vjen nga Kosova për të mbështetur komunitetin shqiptar atje./UBTNews/