Në kuadër të projektit “Lufta kundër trafikimit të jashtëligjshëm të pasurive kulturore në Ballkanin Perëndimor”, sot nisi një seminar 5-ditor me fokus në ngritjen e kapaciteteve për një gamë të gjerë partnerësh institucionalë në Shqipëri.
Ky projekt, i financuar nga Komisioni Evropian (DG NEAR/DG EAC), zbatohet nga UNESCO nëpërmjet Zyrës Rajonale të UNESCO-s për Shkencë dhe Kulturë në Evropë, me qendër në Venecia, dhe Antenës së saj në Sarajevë.
Qëllimi kryesor i këtij projekti është të nxisë bashkëpunimin rajonal, pajtimin dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore përmes trashëgimisë dhe kulturës, të cilat përbëjnë parakushte të domosdoshme për përparimin në rrugën evropiane. Në veçanti, projekti përqendrohet në nxitjen e përafrimit të kuadrit ligjor kombëtar me atë të Bashkimit Evropian.
Përmes këtij seminari, synohet promovimi i dialogut, respektit të ndërsjellë, besimit dhe mirëkuptimit ndërkulturor midis komuniteteve. Kjo iniciativë është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një mjedisi të favorshëm për pajtimin, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.
Ky seminar pritet të ofrojë mundësi për ndarjen e njohurive dhe praktikave më të mira, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve të institucioneve për të luftuar trafikimin e pasurive kulturore dhe për të mbrojtur trashëgiminë tonë të çmuar. /UBTNews/