UBT News

Selimi i reagon Haxhiut: Akuza me motive politike

Ish-Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka reaguar pas deklaratave të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zëvendësministrit të saj, Blerim Sallahu lidhur me disa akuza për keqpërdorime gjatë kohës sa ishte ai ministër.

Selimi thotë se rasti i tokës së Shërbimit Korrektues të Kosovës është një proces i cili ka filluar para mandatit të tij si ministër.

“Më lejoni që të ju informoj, që rasti i tokës së ShKK-së është një proces i cili ka filluar para mandatit tim si Ministër. Ministrja Haxhiu e din këtë shumë mirë. Dhënia me qira e tokës ka ndodhur me ankand publik. Paratë shkojnë direkt në Shërbimin Korrektues. Tokën e kemi ruajtur, kemi mbrojtur shërbimin”, shkroi ai mes tjerash.

Ai ka ftuar ministren Haxhiu që në bazë të Ligjit për qasje në dokumente publike ta publikojë gjithë dosjen.

“Nëse nuk e bën këtë ministrja, do ta kërkoj zyrtarisht dosjen dhe do ta publikoj. Njëkohësisht një kopje do ta dorëzoj personalisht në Prokurori. Dosja e ankandit shumë vjeçar e konfirmon këtë gjë.  Gjithashtu me vendimin për deklasifikimin e pagesave për të akuzuarit në Gjykatën Speciale, sot Ministrja ka vendosur që të rrezikojë mbrojtjen e të akuzuarve dhe ta prishë barazinë e armëve, rrjedhimisht duke ndikuar në dobësimin e pozicionit të mbrojtësve të Kosovës. Spin doktoratë e VV-së kanë bërë një gabim të madh të diversionit dhe kanë zgjedhur që të fillojnë një betejë të cilën do ta humbin”, shkroi ai më tej në Facebook./UBTNews

Exit mobile version