Shtetasi i Kosovës, Fehim Sali, i cili u arrestua të enjten në pikën kufitare në Merdarë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”, është ndaluar për 48 orë me aktvendim të Prokurorisë Speciale.
Në kuadër të hetimeve, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zbatuar një urdhërkontroll në vendbanimin e të dyshuarit në Dragash.
Përmes një komunikate të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, bëhet e ditur se gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar këto prova materiale: 39,500 euro para të gatshme; 500 dinarë para të gatshme; 4 telefona celularë; Dokumente të ndryshme relevante për rastin.
Prokuroria Speciale njoftoi se brenda afatit të përcaktuar ligjor do të parashtrojë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë konfirmuan se mbeten të angazhuara plotësisht për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore lidhur me zbardhjen e këtij rasti. /E.A/
