Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës kanë sekuestruar rreth 10.5 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë gjatë një operacioni të zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes në fshatin Nabërgjan të Pejës.
Gjatë aksionit të realizuar nga Njësiti për Luftimin e Narkotikëve, i cili u koordinua nga prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda, është arrestuar një person i dyshuar për blerje, posedim dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.
Përveç lëndës narkotike, zyrtarët policorë kanë sekuestruar edhe një telefon mobil që do t’i nënshtrohet ekzaminimeve hetimore. I dyshuari është dërguar për intervistim në stacionin policor, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nën udhëzimet e prokurorit të shtetit. /E.A/
