Policia e Kosovës ne raportin 24 orësh njofton se ka konfiskuar dy armë zjarri gjatë kontrolleve në komunikacion në rajonin e Ferizajt brenda dy ditëve të fundit.
Në rastin e parë, njësia policore ka ndaluar një automjet ku gjatë kontrollit i ka gjetur drejtuesit një pistoletë me gjashtë fishekë, për të cilën ai posedonte vetëm leje për shenjëtari por jo edhe për bartje.
“Njësia policore gjatë patrullimit ka ndaluar një veturë të cilën e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar dhe gjatë kontrollit tek i njëjti ka gjetur dhe ka sekuestruar një pistoletë me 6 fishekë për të cilën i dyshuari kishte leje për shenjëtari. Në konsultim me prokurorin i dyshuari është intervistuar dhe rasti vazhdon të trajtohet në gjendje të lirë”, thuhet ne raport.
Ndërsa në rastin e dytë, po ashtu në Ferizaj, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë tjetër në çantën e brezit të një personi gjatë kontrollit të makinës së tij, për të cilën nuk kishte fare leje.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dy personat janë liruar dhe rastet po trajtohen në procedurë të rregullt në gjendje të lirë.
“Gjatë kontrollit në automjetin e të dyshuarit mashkull kosovar në një çantë brezi i është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë për të cilën nuk posedonte leje për bartje. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti vazhdon të trajtohet në gjendje të lirë”, sipas raportit.
