Policia e Kosovës ka njoftuar për sekuestrimin e tri armëve në tri raste të ndara gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas raportit zyrtar, kontrollet kanë rezultuar me shoqërimin e të dyshuarve dhe sekuestrimin e armatimit në lokacione të ndryshme.
Në fshatin Tërstenik të Drenasit është shoqëruar një i mitur, pasi “gjatë kontrollit tek i njëjti është gjetur dhe sekuestruar një armë me gaz”.
Ndërkaq, në Podujevë, policia ka sekuestruar një pushkë gjuetie me leje të skaduar pas kontrollit në shtëpinë e një të dyshuari.
Rasti i tretë u regjistrua në rrugën “Xheladin Rekaliu” në Prishtinë, ku është arrestuar një person pasi “gjatë kontrollit tek i njëjti është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri me një karikator me 16 fishekë”.
Të gjithë të dyshuarit, me vendim të prokurorit, janë proceduar në procedurë të rregullt.
