UBT News

“Sekretet e Ritz-it në Prishtinë”, Philippe Collin zbardh heroin e heshtur të Parisit

Sot, në Institutin Francez në Prishtinë u prezantua romani “Barmeni i Ritzit”, në praninë e autorit francez Philippe Collin dhe përkthyeses së tij në shqip, Lindita Gjatani.

Drejtori i institutit, Edouard Mayoral, e hapi ngjarjen duke e kthyer prezantimin në një udhëtim dramatik drejt Parisit të pushtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe botës së fshehtë pas mureve të famshme të Ritz Paris.

Romani zhvillohet në hotelin legjendar Ritz, i cili mbeti i hapur edhe gjatë okupimit nazist të vitit 1940.

Ai u shndërrua në një hapësirë ku takoheshin nazistë, zyrtarë të lartë, kollaboracionistë, artistë, aristokratë e rezistentë.

Në qendër të ngjarjes është Frank Meier, barmeni i njohur i Ritz-it: një figurë e përkushtuar, me mustaqe të holla, me xhaketë të bardhë dhe kravatë të zezë, që fsheh identitetin e tij hebre.

Meier përballet me dilema të thella morale pas pushtimit të Parisit.

Ai përpiqet të ruajë normalitetin e vendit të punës, të mbrojë identitetin e të ndihmojë ata që rrezikohen, duke u shndërruar në lloj “diplomati të barit” – një hero të heshtur që lufton për mbijetesë dhe dinjitet.

Autori Philippe Collin theksoi se romani ndërtohet mbi një histori të jashtëzakonshme rreth një personazhi real dhe një vendi unik për kohën e tij. Ai përshkroi barin e Ritz-it si një hapësirë të vogël me vetëm 53 vende, ku çdo natë takoheshin njerëz nga botë të kundërta: nazistë, ushtarë gjermanë, partizanë dhe spiunë, ndërsa i vetmi që mbetej i pandryshueshëm ishte barmeni që vëzhgonte gjithçka.

Përkthyesja Lindita Gjatani tha se këndvështrimi i romanit e zhyt lexuesin brenda mureve të Ritz-it, aty ku përplasen emocione të forta njerëzore.

Ajo tregoi se libri nis me hyrjen e trupave gjermane në Ritz dhe përmbyllet me largimin e tyre, duke sjellë edhe një moment të veçantë: ardhjen e Ernest Hemingueyt.

Sipas saj, leximi i romanit i jep ndjesinë e qëndrimit pranë Frank Meierit në bar, duke parë të gjithë shoqërinë franceze dhe funksionarët nazistë që kalojnë para syve, ndërsa zbulohen njëkohësisht frika, dashuria, urrejtja, melankolia dhe nostalgjia e asaj periudhe.

“Barmeni i Ritzit” rrëfen historinë e një njeriu të zakonshëm, i cili në zemër të një qyteti të pushtuar shndërrohet në hero të heshtur që dëgjon, vëzhgon e mbijeton në një botë ku historia ndryshon çdo natë. /A.Z/UBT News/

 

Exit mobile version