Ish-gjygjtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, ka mohuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti se ai vazhdon të jetë kandidat për pozitën e kreut të shtetit.
Në një deklaratë për gazetën “Infokus”, Sejdiu konfirmoi se është tërhequr përfundimisht nga gara për president dhe se për këtë vendim i ka njoftuar krerët e subjekteve politike.
“I kam njoftuar sërish LDK-në dhe Kurtin, jam tërhequr nga gara”, ka thënë Sejdiu.
Pavarësisht këtij qëndrimi, Kryeministri Kurti gjatë konferencës për media e paraqiti kandidaturën e Sejdiut si akt të kryer dhe i kërkoi PDK-së gjysmën e votave për ta mbështetur atë. Kurti u shpreh i bindur se Sejdiu do të pranojë të rikthehet në garë “për ta shpëtuar Kosovën nga zgjedhjet e jashtëzakonshme” përpara skadimit të afatit të mesnatës.
