Gjykata Themelore në Prishtinë ka mbyllur për publikun seancën gjyqësore ndaj Muhamed Krasniqit, ish-zyrtar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), i akuzuar për instalimin e jashtëligjshëm të programeve kompjuterike me qëllim monitorimin e pajisjeve të tjera brenda institucionit.
Vendimi u mor të premten për të ruajtur sigurinë kombëtare dhe fshehtësinë zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës, Krasniqi akuzohet për disa vepra penale, përfshirë keqpërdorimin e pozitës zyrtare, hyrjen e paautorizuar në sistemet kompjuterike dhe zbulimin e informacioneve të klasifikuara.
“Meqenëse në këtë seance do të diskutohet për urdhrin e gjykatës për ekzamenin e pajisjes PC të përdorur nga i akuzuari gjatë kohës sa ka qenë i punësuar në AKI, kërkojmë mendimin e palëve në procedure për mbylljen e kësaj seance për publikun”, tha kryetari i trupit gjykues Naser Foniqi.
Lidhur me këtë, palët në procedurë u pajtuan për mbylljen e seancës.
Andaj, gjyqtari Foniqi morri aktvendim me të cilën mbylli seancën, shkak ruajtjen e sigurisë kombëtare dhe fshehtësisë zyrtare.
“Pas pajtimit trupi gjykues merr aktvendim, aprovohet propozimi i prokurorit të shtetit që kjo seancë të mbyllet për publikun me qëllim të ruajtjes së sigurisë kombëtare dhe fshehtësisë zyrtare që mbrohen në ligj”, shtoi tuje Foniqi.
Ndryshe, shqyrtimi i dytë për këtë rast ishte mbajtur në kundërshtim me ligjin, pasi që gjykatësi Foniqi kishte zhvilluar seancën në mungesë të të akuzuarit Krasniqi.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 23 shkurt 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Muhamed Krasniqi, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorim i informatës zyrtare”, “Hyrje në sistemet kompjuterike”, “Zbulim i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara” dhe “Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara”.
Më 10 mars 2022, ish-zyrtari i AKI-së ishte deklaruar i pafajshëm për korrupsion dhe vepra tjera penale.