UBT News

Seanca konstituive sot, ngërçi për presidentin mbetet

Sot nga ora 10:00, deputetët e zgjedhur të legjislaturës së 11-të do të mblidhen për seancën konstituuese të Kuvendit, ku rendi i ditës përfshin formimin e komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, betimin e deputetëve, si dhe zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Konstituimi i këtij institucioni hap zyrtarisht afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri, çka përbën edhe pikën më kritike të përplasjeve politike. Ndërkohë, afati 15-ditor për votimin e qeverisë fillon vetëm pasi ushtruesja e detyrës së presidentit të mandatojë kandidatin e propozuar nga shumica parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë arritur një marrëveshje koalicioni për formimin e institucioneve të reja. Edhe takimi i tretë i zhvilluar të mërkurën në ndërtesën e Kuvendit mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, përfundoi pa ndonjë rezultat konkret.
Pas takimit, Kurti konfirmoi mungesën e marrëveshjes duke deklaruar se do të njoftojnë mediat vetëm kur të arrihet një finale, ndërsa Abdixhiku shmangu deklaratat duke dalë nga dera e pasme e ndërtesës. Më herët, deputetët e zgjedhur të LDK-së kishin rikonfirmuar qëndrimin se nuk do të ketë marrëveshje nëse partisë së tyre nuk i garantohet posti i presidentit.
Zgjedhjet e fundit parlamentare ishin të tretat me radhë brenda një periudhe prej një viti e gjysmë, ku LVV-ja doli sërish fituese me 58 mandate. Së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, ajo i ka votat e nevojshme prej 61 deputetësh për të konstituar Kuvendin dhe për të formuar Qeverinë.
Megjithatë, sfida kryesore mbetet zgjedhja e presidentit, proces ky që kërkon kuorum prej 80 deputetësh në dy rundet e para, ndërsa në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota për zgjedhjen e kandidatit. /E.A/

Exit mobile version