Lajm i përditësuar
14:27
Deputetët e Kuvendit të Kosovës në vazhdimin e seancës së sotme kanë votuar në pako edhe tre nënkryetarët e kuvendit nga LVV, PDK dhe LDK.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar në pako edhe tre nënkryetarët e kuvendit nga LVV, PDK dhe LDK.
Deputetët e zgjedhur janë Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala.
11:38
Me 73 vota për, 30 kundër dhe tri abstenim, është zgjedhur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar sërish Bashën për kryeparlamentar, ku mori votat nga disa deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci e ka propozuar për kryeparlamentar, deputetin Dimal Basha.
“LVV si fituese e zgjedhjeve në realizim të së drejtës së saj dhe përgjegjësisë për të propozuar kandidatin apo kandidaten për kryetare të kuvendit, tashmë ka bërë pesë propozime të pesë deputetëve të zgjedhur për kryetar të kuvendit. Në këtë linjë edhe sot vazhdojmë me propozimin e deputetit Dimal Basha për kryetaret të kuvendit. Dimal Basha i zgjedhur tashmë tri herë si deputet i Kuvendit të Kosovës përveç punës dhe veprimtarisë së tij në Republikën e Kosovës ka jetuar, studiuar dhe punuar edhe në ShBA-të. Në Nju Jork ai ka përfunduar shkollimin e lartë në të drejtën penale ndërkombëtare dhe studimet në nivelin master në marrëdhënie ndërkombëtare. Ka punuar në zyrën e kongresmenit dhe mikut të madh të shqiptarëve, Eliot Engel si dhe ka përvojë pune si analist i të dhënave në Gjykatën Federale Amerikane, ai mban edhe nënshtetësi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Nagavci.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ka konstatuar zgjidhjen e kryetarit të kuvendit.
Zgjidhja e kryeparlamentarit Dimal Basha është bërë në përpjekjen e 58-të për konstituim të kuvendit.
10:55
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Joern Rohde, ka arritur në Kuvendin e Kosovës, ku sipas orarit, në ora 11:00 pritet të fillojë seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit.
Ambasadorët e shteteve të ndryshme , përfshirë edhe ato të Kuintit , kohët e fundit shpesh kanë bërë thirrje që sa më parë të formohen institucionet e reja të Kosovës.
07:58
Sot me fillim nga ora 11:00 mbahet seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje të dielën i propozoi tre emra në tentimin e tretë për konstituim pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Votat për kryekuvendar nuk i morën as ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, as ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci e dhe as deputeti Dimal Basha.
Nga 106 deputetë të pranishëm për Muratin votuan 55 deputetë, kundër 46 dhe 5 deputetë kanë abstenuar. Derisa, me 55 vota për, 47 kundër, 4 abstenime, Nagavci nuk mori votat për t’u zgjedhur kryekuvendare.
Kurse, për Bashën për votuan 57 deputetë , kundër 25, dhe abstenuan 24 deputetë.