UBT News

Së shpejti shpallen procedurat e tenderimit për autoudhën Kievë – Zahaq

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka pritur në një takim pune drejtorin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH në Kosovë, Neil Taylor, dhe Arianit Blakaj, bankier kryesor i këtij institucioni në Kosovë.

Në takim u diskutuan projektet infrastrukturore që Ministria e Infrastrukturës i ka me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, me theks të veçantë projektet e rëndësishme që lidhin Kosovën me vendet e rajonit.

Sipas njoftimit të Ministrisë, Abrashi falënderoi BERZH-in për mbështetjen e vazhdueshme në projektet infrastrukturore që janë duke u kryer, dhe po ashtu për ato që do të nisin shumë shpejt.

Ministri Abrashi dhe drejtori Taylor diskutuan për finalizimin e procedurave e përgatitjeve për shpalljen e tenderit për autoudhën Kievë-Zahaq, dhe së shpejti do të shpallen procedurat e tenderimit për këtë projekt strategjik për vendin.

Po ashtu u diskutua për fillimin e projektit për zgjerimin e hyrje-daljeve në komunën e Ferizajit, procesin e rehabilitimit dhe rikonstruktimit të hekurudhave të Kosovës si dhe bashkëpunimin e financimin e projektit të autoudhës, Prishtinë-Merdare.

Taylor bëri të ditur se investimet e BERZH-it në Kosovë do të vazhdojnë bazuar në kërkesat e Ministrisë dhe duke u përqendruar tek zhvillimi ekonomik i Kosovës./UBTNews

Exit mobile version