Policia e Kosovës ka filluar një kampanjë informuese për qytetarët që dëshirojnë të konkurrojnë për zyrtar policor në Policinë e Kosovës.
Sipas Policisë, qëllimi i organizimit të kësaj kampanje informuese është për të inkurajuar sa më shumë qytetarë për të aplikuar në konkursin për zyrtarë policorë i cili do të shpallet së shpejti nga policia e Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë për KosovaPress se ende nuk është bërë i ditur numri i saktë i policëve që do të rekrutohen.
Sveçla thotë se po punojnë që të rrisin numrin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për shkak të angazhimeve të shumta në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Është çështje javësh, mos të them ditësh që konkursi i ri për rekrutim të pjesëtarëve të ri të Policisë së Kosovës do të bëhet publik. Ne edhe ashtu po punojmë që të rrisim numrin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, kjo për shkak të angazhimeve të shumta por edhe si prioriteti numër 1 i qeverisë Kurti II, i cili është lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, prioritet që kërkon angazhim të shtuar të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe segmenteve tjera të sigurisë… Shifrat përfundimtare ende nuk janë caktuar, por bëhet fjalë për një rritje diku midis 2-3 përqind të forcës të Policisë së Kosovës”, thotë ai.
Nga Policia e Kosovës thonë se janë duke bërë përgatitjet për fillimin e procesit të ri të rekrutimit.
“Në përputhje me nevojat e organizatës për zyrtarë policorë, Policia e Kosovës shpall konkurs publik për rekrutimin e zyrtarëve policorë. Në këtë drejtim, Departamenti për Burime Njerëzore është në fazën e përgatitjeve për fillimin e procesit të ri të rekrutimit”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Një gjë të tillë po e mbështesin edhe njohës të çështjeve të sigurisë, sipas të cilëve për shkak të moshës së vjetër në Policinë e Kosovës, ka nevojë për rekrutimin e gjeneratave të reja.
Kështu eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se nevoja për gjenerata të reja në Policinë e Kosovës vjen pikërisht për shkak të moshës së shtyrë në këtë institucion. Teksa thekson se nuk ka nevojë për shtim të numrit të policëve, porse për rekrutim të vazhdueshëm të pjesëtarëve të ri.
“Numri i policëve është i përcaktuar, edhe i stafit dhe zyrtarëve që bëjnë administrimin civil, nuk ka nevojë për rritje të numrit, ai është përllogaritur edhe për nivelin e komandës qendrore, drejtoritë rajonale dhe stacionet policore, trafikut. Sido që të jetë, ky numër që është duhet të rinovohet me gjenerata të reja. Duhet të jetë një rekrutim i rregullt”, thotë ai.
Edhe ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj e sheh me vend rekrutimin e policëve të ri, pasi thotë se gjeneratat e reja i japin dinamikë punës së policisë.
Konkursi i fundit për policë në Republikën e Kosovës ka qenë para tri vitesh.