UBT News

Schwarzenegger: Amerika rrezikon demokracinë

Vrasja e aktivistit amerikan Charlie Kirk, më 10 shtator, ka tronditur opinionin publik në Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar reagime të shumta dhe masa të ashpra nga autoritetet.

Departamenti i Shtetit ka njoftuar se do të revokojë ose refuzojë vizat për personat që kanë festuar publikisht humbjen e jetës së Kirk.

Në këtë klimë tensioni, ish-guvernatori i Kalifornisë dhe aktori i njohur Arnold Schwarzenegger ka dhënë një deklaratë të fortë, duke paralajmëruar se vendi po rrezikon të humbasë themelet demokratike.

“Duhet të jemi të kujdesshëm të mos afrohemi pranë greminës. Sepse, nëse rrëzohemi, aty poshtë nuk ka demokraci,” u shpreh ai.

Schwarzenegger theksoi se qytetarët kanë në dorë fuqinë për të ndryshuar situatën përmes pjesëmarrjes aktive në zgjedhje.

“Populli ka fuqinë përfundimtare dhe kjo shprehet përmes votës,” deklaroi ai, duke bërë thirrje për angazhim politik.

Në X, aktori reagoi duke nënvizuar se shumica e njerëzve në jetën reale tregojnë respekt, ndryshe nga pakicat që shpërndajnë urrejtje.

“Mos lejoni që platformat dhe influencerët të ju bindin se e keqja është shumicë. Ajo është një pakicë e zhurmshme që merr shumë vëmendje,” shkroi Schwarzenegger. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version