Ish-mesfushori i Manchester United Paul Scholes ka thënë që Paul Pogba do të vazhdojë me budallallëqe edhe në moshën 35 vjeçare, pas paraqitjes së tij jo të mirë mbrëmë kundër Atalantas.
Pogba u rikthye në formacionin bazë në ndeshjen e mbrëmshme në Ligën e Kampionëve, pasi që mungoi në fitoren 3:0 të “Djajve të Kuq” kundër Tottenham në vikend për shkak të kartonit të kuq, përcjell KosovaPress.
Sidoqoftë, mesfushori francez u zëvendësua pas 69’ minutave lojë, duke liruar vend për Nemanja Matic, pasi që paraqitja e tij nuk ishte edhe aq e mirë.
Pogba humbi topin gjithsej 13 herë në mesfushën e United, dhe pavarësisht që është asistuesi më i mirë në Premier Ligë me gjithsej shtatë asistime, legjenda e Manchester United Paul Scholes nuk është i kënaqur me paraqitjet e tij.
“Ai nuk ishte i mirë, ishte jo i fokusuar. Nuk mendoj që duhet ta vëmë në pyetje karakterin e skuadrës, por mungonte kualiteti. Ne e njohim Pogban, kemi qenë me të. Atij gjithmonë i nevojitet dikush që t’i flasë. Atij i nevojitet dikush që ai e respekton. Atij i nevojiten lojtarë me eksperiencë përkrah”, tha Scholes për “BT Sport”.
“Sa vjeç është, 28,29? Ai me të vërtetë është një lojtarë me përvojë, por ai është një nga ata lojtarët që edhe në moshën 35 vjeçare do të jetë i njëjti. Ai do të vazhdojë me budallallëqe, duke mbajtur lojtarët, duke treguar se sa i fortë që është, duke treguar lëvizjet e tij dhe tani njerëzit janë të vetëdijshëm për këtë. Ata i shohin këto gjëra gjithmonë”, shtoi ish-mesfushori i United.
Këtë sezon, Paul Pogba në 13 paraqitje në të gjitha garat për Manchester United ka regjistruar shtatë asistime dhe asnjë gol mbi emrin e tij.