UBT News

SBAShK: Subvencioni prej 80 eurosh nuk mjafton, nxënësit rrezikojnë të mbesin pa libra

Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Vjollca Shala tha  se subvencionimi nga Ministria e Arsimit prej 80 eurosh për tekste dhe materiale mësimore nuk i mbulon nevojat reale të nxënësve.

Ajo tha se edhe procesi i aplikimit ka filluar me vonesë, vetëm pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor, duke theksuar se edhe shumë prindër kanë vështirësi me procesin e aplikimit përmes platformës e-Kosova, gjë që po krijon pasiguri tek prindërit dhe nxënësit për sigurimin e teksteve në kohë.

“Këtë vit me sa ne e kemi parë ka filluar aplikimi për subvencion pak ndoshta me vonesë se 1 shtatori është shumë afër dhe kanë aplikuar prindërit, përkundër asaj që prapë mbesin prindërit, të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme se si të aplikohet për subvencionim. Po në të njëjtën kohë edhe subvencionimi, i cili është duke u bërë prej 80 eurove nuk është i mjaftueshëm, ngase librat për nxënësit e këtyre klasave nga klasa e parë deri në klasën e nëntë shpeshherë janë më të shtrenjta. Do të thotë nuk e përmbushin kërkesën dhe nevojën ato 80 euro për t’ju blerë tekste shkollore e mos të flasim për mjetet tjera”, tha Shala.

Ajo ngriti shqetësime edhe për përdorimin e librave nga gjeneratat e kaluara, të cilat shpeshherë janë të plotësuara dhe nuk kontribuojnë në cilësinë e mësimdhënies.

“Kur është fjala për zëvendësim të teksteve me tekste e viti të kaluar ato janë të plotësuara nga nxënësit që i kanë përdorur vitin e kaluar dhe nxënësit, të cilët do t’i përdorin këtë vit i marrin si të plotësuara, andaj edhe nëse fëmijës i jepet një detyrë që e ka zgjidhjen aty, atëherë sa ai nxënës do të mendojë për ta zgjedhur atë detyrë, të cilën e ka të gatshme të zgjedhur, që do të thotë që lë shumë për të dëshiruar çështja e ngritjes së cilësisë në arsim me libra të plotësuar”, tha ajo.

Shala shtoi se procesi i rimbursimit është i vonuar dhe kjo po ndikon drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e vitit shkollor.

“Meqenëse është bërë aplikim, por akoma nuk e dimë a ka filluar rimbursimi me mjete, por edhe nëse ka filluar është shumë vonë ngase është paksa e vështirë që të arrijnë të gjithë prindërit e fëmijëve të Kosovës, gjithë nxënësve të Kosovës që diku i kemi rreth 203,000 nxënës në këtë vit shkollor të pajisen me libra dhe mjete të tjera mësimore që javën e parë. Unë e them që javën e parë e mos të flasim që ditën e parë. Derisa viteve të kaluara kur u blenin librat dhe u dërgoni në shkolla para 1 shtatorit, që me 1 shtator mësimdhënësit kishin për detyrë vetëm t’ua shpërndanin klasave të tyre ato libra. Që do të thotë që me 1 shtator nxënësit ishin të pajisur me libra”, tha ajo.

Duke u bazuar në përvojën e dy viteve të fundit, Shala ka thënë se edhe pas subvencionimit, shumë nxënës kanë shkuar pa libra gjatë gjithë vitit shkollor.

“Nga përvoja që e kemi edhe nga dy vitet e kaluara e kemi parë se ka pasur në mesin e nxënësve që ndoshta edhe gjatë gjithë vitit shkollor nuk kanë qenë të pajisur me libra. Përkundër asaj që është bërë ndoshta subvencionimi i atyre mjeteve, nxënësit kanë shkuar pa libra. Përveç ata që kanë qenë me kushte paksa më të rënda ekonomike, ndoshta që i kanë shfrytëzuar ato mjete për produkte elementare për jetës, ato familje dhe nuk ju kanë blerë libra nxënësve, fëmijëve të tyre. Kemi pasur edhe probleme, ngase pothuajse të gjithë nxënësit që muajin e parë nuk kanë qenë të pajisur me tekste dhe mjete të tjera mësimore”.

Për vitin shkollor 2025/2026, do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, ndërsa me të njëjtën shumë do të subvencionohen nxënësit nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve mësimore.

Sipas MAShTI-t, brenda gjashtë ditëve të para të hapjes së aplikimit janë pranuar gjithsej 144,337 aplikime përmes platformës e-Kosova dhe deri më tani nuk është pranuar asnjë ankesë nga prindërit.

Ky është viti i tretë radhazi që Ministria e Arsimit aplikon këtë formë të subvencionimit.

Exit mobile version