UBT News

Save the Children: TikTok-u është hapësira ku bullizohen më së shumti fëmijët në Kosovë!

Një anketë e realizuar nga organizata për të drejtat e fëmijëve, Save the Children Kosova, ka zbuluar se bullizimi është një problem i përhapur për fëmijët në Kosovë, duke u ndodhur kryesisht në rrjetet sociale dhe shkolla. Sipas rezultateve të anketës, TikTok është identifikuar si platforma më e rrezikshme për bullizmin online, duke e lënë pas edhe shkollën, që gjithashtu mbetet një vend ku bullizmi është i pranishëm për një pjesë të madhe të fëmijëve.

Anketa, e titulluar Zërat e Rinj, tregon se 78% e fëmijëve në Kosovë besojnë se bullizmi është shumë ose mesatarisht i pranishëm në shkollën e tyre. Po ashtu, të njëjtën përqindje e ka edhe TikTok-u, që renditet si platforma më e prekur nga ky fenomen. Më pas vijnë rrjetet sociale të tjera si Snapchat, me 57%, Instagram (45%) dhe Facebook (28%), që gjithashtu identifikohen si hapësira ku bullizmi është gjithnjë e më i pranishëm.

Anketa është realizuar gjatë periudhës maj-qershor 2024 dhe ka përfshirë 1.071 fëmijë nga 16 komuna të Kosovës, të cilët janë në moshën 11 deri 17 vjeç, dhe përfaqësojnë nxënës nga klasa e shtatë deri në të 11-tën.

Përveç bullizmit online, një shqetësim tjetër i shprehur nga fëmijët është mungesa e sigurisë kur përdorin transportin publik gjatë natës. Sipas të dhënave, 29% e të anketuarve kanë raportuar se nuk ndihen të sigurt në këtë situatë. Ky shqetësim është më i theksuar te vajzat, ku 35% e tyre shprehin pasiguri, krahasuar me vetëm 19% të djemve.

Save the Children ka kërkuar nga autoritetet dhe institucionet arsimore që të ndërmarrin hapa më të fuqishëm për të trajtuar bullizmin dhe diskriminimin në shkolla. Organizata thekson nevojën për “trajnime gjithëpërfshirëse për mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit”, me qëllim që të krijohet një kulturë bashkëpunimi në trajtimin e këtyre problemeve.

Po ashtu, Save the Children ka kërkuar që të forcohen mekanizmat e sigurisë në internet dhe të krijohen mekanizma mbrojtës për platformat si TikTok dhe Snapchat. Kjo përfshin angazhimin e kompanive të teknologjisë, prindërve dhe mësimdhënësve në një përpjekje të përbashkët për të krijuar një mjedis më të sigurt online për fëmijët.

Një tjetër shqetësim serioz është raportimi i disa rasteve të vetëlëndimeve të nxënësve të frymëzuar nga video të dhunshme ose të rrezikshme në TikTok. Këto raste kanë ngritur alarmin për rrezikun që mund të vijë nga përdorimi i papërgjegjshëm i platformave sociale, duke bërë apel për më shumë përgjegjësi nga ana e kompanive që menaxhojnë këto platforma.

Në përfundim, Save the Children ka bërë thirrje për veprime konkrete dhe urgjente për të siguruar një ambient më të sigurt për fëmijët, si në shkolla ashtu edhe në platformat sociale, ku bullizmi është bërë një shqetësim gjithnjë e më i madh./UBTNews/

 

Exit mobile version