UBT News

Sauditët paralajmërojnë Netflix-in për shkeljen e vlerave islame

Shtetet Arabe të Gjirit kanë kërkuar që Netflix të heqë të gjithë përmbajtjen që konsiderohet se shkel “vlerat dhe parimet islame dhe shoqërore”, raportojnë mediat saudite.

Materialet e fundit, përfshirë ato për fëmijët, bien ndesh me rregulloret, thanë në një deklaratë mbikëqyrësit e medias saudite dhe të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit. Nuk u dhanë detaje tjera. Por televizioni shtetëror saudit transmetoi disa pamje nga shfaqja e animuar “Jurassic World: Camp Cretaceous”, në të cilën dy vajza adoleshente rrëfejnë se e duan njëra-tjetrën dhe shfaqen duke u puthur.

Edhe pamje nga filmi i diskutueshëm francez “Cuties” u shfaqën gjithashtu në raportin e Al Ekhbariya TV, së bashku me një mbishkrim që akuzon Netflix si “kopertinë kinematografike për mesazhet imorale që kërcënojnë edukimin e shëndetshëm të fëmijëve”.

Edhe një video tjetër në faqen e internetit të Al Ekhbariya pretendon se shërbimi i transmetimit po “promovon homoseksualitetin duke u fokusuar tepër te homoseksualët”.

Televizioni intervistoi edhe disa personazhe publike, të cilët hodhën akuza të ngjashme dhe u bëri thirrje autoriteteve të marrin masa të menjëhershme./UBTNews/

Exit mobile version