Duke refuzuar kodin e rreptë të veshjes, Sara Khadem është sportistja më e fundit që ka ushtruar presion të mëtejshëm mbi regjimin iranian dhe ka lënë gjurmë në lëvizjen e lirisë në vend.
Që nga fillimi, protestat e iranianëve kundër qeverisë së tyre teokratike janë mbështetur nga shumë prej emrave të njohur nga sfera e sportit.
As elita e femrave në botën e shahut nuk ka bërë përjashtim. Në fund të dhjetorit, Sarasadat Khademalsharieh, shkurtimisht Sara Khadem, iu bashkua radhës së profesionistëve iranianë të shahut, të cilët e kanë refuzuar pa mëdyshje mbajtjen e shamisë në Kampionatin Botëror të Rapid dhe Blitz FIDE në Almaty, Kazakistan.
Duke vepruar kështu, mjeshtrja ndërkombëtare e shahut ka shfaqur solidaritetin e saj me lëvizjen kundër regjimit mullah të Iranit.
Strehimi në Spanjë
Vendimi i Khademit për të mos mbajtur shami gjatë paraqitjes në Kampionatin Botëror kishte pasoja të menjëhershme. Pas ngjarjes, Khadem udhëtoi drejt Kazakistanit në një qytet të panjohur në Spanjë me bashkëshortin e saj, regjisorin Ardeshir Ahmadi dhe djalin e tyre 10-muajsh.
Rikthimi në Iran mund të kishte rezultuar me pasoja kërcënuese për jetën e saj. Rasti i alpinistes iraniane Elnaz Rekabi, e cila garoi pa shami në kampionatin aziatik në Seul gjatë muajit tetor, shërben si një përrallë paralajmëruese. Pas kthimit të saj në Iran, Rekabi u vu në arrest shtëpiak dhe ajo dhe rrethi i saj që atëherë i janë nënshtruar një kërcënimi masiv shtetëror.
Kërcënimet për shpronësim, ndalimi për t’u larguar nga vendi dhe publikimi i rrëfimeve të detyruara: e tillë është qasja e pamëshirshme e shtetit ndaj disidentëve. Në mesin e 20 mijë të burgosurve për kritika kundër regjimit totalitar gjatë katër muajve të fundit janë edhe disa sportistë të njohur. Ata tani po përballen me akuza, disa prej të cilave janë të pakuptueshme dhe janë kërcënuar me dënime mizore gjyqësore, përfshirë edhe ekzekutim.
Pas mbërritjes së saj në Spanjë, Khadem shkroi në Instagram: “Emigrimi im është një vendim familjar. Unë nuk kam aplikuar për azil këtu. Për shkak të sukseseve të mia sportive dhe kombësive të shumta të burrit tim, nuk kam qenë kurrë e shqetësuar për të drejtën e qëndrimit jashtë vendit”.
Khadem është ylli i pestë iranian i shahut që iku nga vendi vitet e fundit. Yjet e tjerë sikurse Mitra Hejazipour, Ghazal Hakimifard, Atousa Pourkashiyan dhe Dorsa Derakhshani vendosën të emigrojnë për arsye të ngjashme. Pourkashiyan dhe Derakhshani tani luajnë për ekipin amerikan, ndërsa Hakimifard luan për Zvicrën dhe Hejazipour për Francën./UBTNews/