Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka thënë se kryeministri Albin Kurti po rrezikon pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizma rajonal si CEFTA dhe Procesi i Berlinit.
Ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se Kurti për shkak të paaftësisë së tij dhe politikave të gabuara i ka sjell sanksione vendit.
“Në këtë periudhë asgjë nuk duhet të merret shumë seriozisht se çka deklaron kryeministri Kurti, është në një fushatë zgjedhore, është në përfundim të mandatit të tij si kryeministër. Në katër vite tash duhet me pas parasysh edhe sikletin dhe presionin tij që ka këtë periudhë, sepse nuk po arrin të përfundojë as edhe një projekt të vetëm, po e le gjendjen më keq siç ka qenë…Sa i përket CEFTA-s mendoj që jemi pikërisht janë bërë 10 vite kur Kosova është bërë pjesë e iniciativës së Ballkanit Perëndimor që drejtohet nga Gjermania dhe Franca, dhe pas një këtyre viteve kemi arrit në një pikë ku Kosovës po i rrezikohet pjesëmarrja tutje pikërisht për shkak të paaftësisë së saj për të implementuar zotimet dhe detyrimet që dalin nga kjo marrëveshje. Ne nuk mund t’i ndihmojmë asgjë Kurtit në situatën ku e ka sjellë vendin, por, shpresojmë që komuniteti ndërkombëtar, BE-ja, ShBA-të ta ndalin në shtimin e sanksioneve ndaj vendit tonë, dhe besoj shumë se vendit do t’i jepim një qeveri të re që e nxerr nga kjo situatë…Shpresoj se këto sanksione të mos shtohen deri në momentin me 9 shkurt vendit i jepim një qeveri të re”, tha ai.
Ndërsa, Tahiri derisa ka folur për vendimin sa i përket mallrave serbe, duke thënë se Qeveria duhet t’i përmbush obligimet e saj.
“Qeveria duhet t’i përmbush obligimet e saj, nëse flitet për sigurinë e mallrave ato janë kushte që duhet t’i ofrojë Qeveria e Republikës së Kosovës apo cilado qeveri, duhet të përmbushen obligimet tona dhe të mos vije puna deri tek një pozicion ku dukemi të paaftë të implementojmë detyrimet tona që realisht pastaj ato na rrezikojnë që të na nxjerrin prej këtyre mekanizmave që do të jetë e dëmshme. Pse nuk po ndodh me shtetet tjera, por me Kosovën?”, ka shtuar Tahiri.
Krahas kësaj, ai bëri të ditur se seanca e radhës e Kuvendit do të mbahet të enjten, derisa potencoi se mazhoranca për shkak të brishtësisë së numrave do të ketë të vështirë miratimin e Projektligjeve.
“Tash e dy seanca sesioni vjeshtor nuk po arrin të fillojë në Kuvendin e Kosovës për shkak të mungesës së numrave nga mazhoranca, qëndrimet e PDK-së sa i përket këtyre pikave janë të njëjta, ne do t’i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare konform qëndrimit tonë qysh e kemi deklaruar më herët, mirëpo normalisht në çështjen e projektligjeve të cilat kërkohet shumica e thjeshtë prej 61 deputeteve qe duhet të jenë prezent në seancë dhe që shumica e këtyre deputeteve normalisht se nuk do të marrin pjesë sepse kjo është një përgjegjësi e mazhorancës. Por, fatkeqësisht duket se do të jetë vështirë që do të kalohen dhe këto projektligje sepse tashmë duket se ka një shthurje kogja të madhe brenda Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket numrave dhe shumicës së tyre në Kuvendin e Kosovës”, thotë Tahiri.