Joe Biden tha muajin e kaluar se ai do të takohej ballë për ballë me presidentin rus Vladimir Putin, së shpejti. Tani takimi ka një datë – dhe një vendndodhje.
Takimi i parë i nivelit të lartë të presidencës Biden do të zhvillohet në Gjenevë të Zvicrës, më 16 qershor. Kjo vjen pas udhëtimit të Biden në Mbretërinë e Bashkuar për samitin e G7-ës dhe Bruksel për një takim të liderëve të NATO-s, duke i dhënë presidentit më shumë kohë për të dëgjuar nga aleatët e ShBA-së para se të takohet me Putin.
ShBA kërkon të “rivendosë parashikueshmërinë dhe stabilitetin” në marrëdhëniet e saj ruse. Një listë e shkurtër e temave për të cilat presidenti Biden dhe Putin do të flasin, përfshin kontrollin e armëve, ndryshimin e klimës, përfshirjen ushtarake ruse në Ukrainë, veprimtaritë e sulmeve kibernetike të Rusisë, duke përfshirë sulmin SolarWinds në vitin 2020 ndaj qeverisë amerikane dhe rrjeteve kompjuterike private, dhe përpjekjen për helmim dhe burgim të disidentit rus, Alexei Navalny.
Duket se në këtë takim mes tyre do të ketë laramani të temave që do të trajtohen, pasi Biden dhe Putin janë ‘përplasur me fjalë’ mes tensioneve në rritje në muajt e fundit.
Biden, si një ish-nënkryetar dhe ekspert për një kohë të gjatë i marrëdhënieve të jashtme në Senat, ka shumë përvojë në arenën diplomatike. Sidoqoftë, samiti i Gjenevës do të jetë një nga sprovat më të mëdha personale të karrierës së tij politike./UBTNews