Samadrexha ka shkruar histori duke e fituar për herë të parë Kupën e Republikës së Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave.
Në finalen e zhvilluar të dielën në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, Samadrexha triumfoi ndaj Istogu me rezultat 27:23, duke siguruar trofeun e parë të Kupës në historinë e klubit.
Ndeshja ishte e balancuar në pjesën e parë, ku istogaset kishin epërsi të lehtë, por pa arritur të krijojnë diferencë më të madhe se dy gola. Në pjesën e dytë, Samadrexha u shfaq më e organizuar dhe më efikase, duke përmbysur rezultatin dhe duke ruajtur avantazhin deri në fund.
Figura kryesore e ndeshjes ishte Jennifer Abreu me tetë gola, ndërsa Vitoria Oliveira shtoi shtatë të tjerë për fitueset. Në anën tjetër, për Istogun u dallua Joneide Olikaka me tetë gola, ndërsa Alda Bruna realizoi katër.
Në rrugën drejt finales, Samadrexha mposhti Ferizajn në gjysmëfinale, ndërsa Istogu eliminoi Shqiponjën.
Ky sukses shënon një moment historik për Samadrexhën, që për herë të parë ngre trofeun e Kupës së Kosovës.
