10 gola në 12 ndeshje në Premier League për Mohamed Salah, i cili udhëheq Liverpoolin e Arne Slot. Pavarësisht se kontrata e tij skadon në qershor 2025, egjiptiani është ende lider i Reds, duke ndjekur titullin në Premier League. Në fund të fitores ndaj Southamptonit, në të cilën ish-lojtari i Romës dhe Fiorentinës shënoi dy gola, Salah foli për të ardhmen e tij për “NBC Sports”.
Ai theksoi se ende nuk ka marrë asnjë ofert nga klubi për rinovimin e kontratës, përcjellë KosovaPress.
“Është pothuajse dhjetor, nuk kam marrë asnjë ofertë për të qëndruar në klub, kështu që ndoshta jam më shumë jashtë sesa brenda ”, tha Salah, duke folur për të ardhmen e tij.
Egjiptiani më pas shtoi: “Unë kam qenë në këtë klub për shumë vite dhe asnjë klub nuk është i tillë. Në fund të fundit, nuk është në duart e mia. Siç e thashë edhe më parë është dhjetor dhe nuk kam parë ende asgjë për mua”
Ish-lojtari i Fiorentinës dhe Romës ka folur edhe për marrëdhënien e tij me tifozët e Liverpoolit . “Unë i dua fansat. Fansat më duan, por në fund nuk është në duart e mia apo të fansave, kështu që le të presim dhe të shohim.”