Gucci e ka emëruar stilistin Sabato De Sarno drejtor të ri kreativ të markës, duke i dhënë fund spekulimeve disamujore se kush do ta marrë një prej pozitave më të lakmuara në industrinë e modës.
Njoftimi u bë në një konferencë të përbashkët për media të shtunën, në të cilën marka italiane dhe kompania mëmë Kering thane se 39-vjeçari do të jetë përgjegjës për “përcaktimin dhe shprehjen e vizionit krijues të markës”.
Emërimi erdhi befasishëm për njerëzit e brendshëm të industrisë. Megjithëse De Sarno është i njohur në qarqet e modës për punën e tij në Valentino, ku aktualisht mbikëqyr veshjet e meshkujve dhe femrave nën drejtimin e drejtorit kreativ Pierpaolo Piccioli, stilisti i lindur në Napoli ende nuk ka drejtuar një label të madh dhe ka një profil publik relativisht të kufizuar.
Në një deklaratë, De Sarno tha se ai është “thellësisht i privilegjuar” që mori këtë pozitë. Ai do të drejtojë koleksionet e grave dhe burrave dhe do të mbikëqyrë artikujt prej lëkure, aksesorët, etj.
“Jam krenar që i bashkohem një shtëpie me një histori dhe trashëgimi kaq të jashtëzakonshme, që me kalimin e viteve ka arritur të mirëpresë dhe çmojë vlerat në të cilat besoj”, shtoi ai.
Kanë kaluar pak më shumë se dy muaj qëkur Alessandro Michele njoftoi se do të largohej nga posti i drejtorit kreativ të Gucci pas gati tetë vjetësh./UBTNews/