Sulmet kibernetike që janë shfaqur me zhvillimin e hovshëm teknologjik përbëjnë shqetësim për të gjitha shoqëritë pa dallim. Ato dallojnë nga sulmet tjera për shkak të përdorimit të anës digjitale, respektivisht përdorimit të internetit dhe pajisjeve teknologjike. Kështu deklaroi në një intervistë për UBTNews Arian Kadriu, profesor i Studimeve të Sigurisë në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT). Kadriu foli për llojet e sulmeve kibernetike, sa përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe sa është e afektuar Kosova nga sulme të tilla.
Sipas profesorit Kadriu, ato përbëjnë një kërcënim më specifik për sigurinë dhe duhet të trajtohen në mënyrë më delikate për arsye se te sulmet kibernetike kryesi është më i mbrojtur.
“Te sulmet kibernetike është mundësia që të realizohen përmes uebsajteve të ndryshme, përmes anës së errët të internetit apo darknet-it, që përbën një rrezik më të madh dhe një sfidë shumë delikate për institucionet e sigurisë për me u evidentu një sulm ose për me u evidentu kryesi se prej nga vjen një sulm i tillë”, deklaroi ai.
Profesori tregon cilat janë arsyet kryesore pse ndodhin sulmet kibernetike dhe ndikimin që e kanë ato edhe në luftën e Rusisë ndaj Ukrainës.
“Arsyeja kryesore e sulmeve kibernetike që nga fillimi ka qenë aspekti financiar, për të arritur të mirat financiare, por nuk është kjo arsyeja e vetme. Ka edhe grupe të tjera përshembull që besojnë në një ideologji të caktuar, sikurse rasti i grupit “Anonymus” që konkretisht është duke marrë pjesë në këtë luftën hibride ose luftën asimetrike në konfliktin Rusi-Ukrainë. Nonstop janë duke sulmuar sistemet mbrojtëse të shtetit rus, janë duke e llogaritur një luftë në aspektin hyjnor që janë duke i ndihmuar popullit të Ukrainës, i sulmojnë asetet e oligarkëve rus, i bllokojnë anën financiare të tyre, ka dmth edhe sulme kibernetike që kryhen me qëllim të mirë. Sulmet tjera kibernetike që janë edhe shumë të rrezikshme janë prej grupeve terroriste psh. nuk ka nevojë me pas një infrastrukturë shumë të avancuar ose me pas armë kimike ose biologjike, mjafton me pas një laptop ose një pajisje tjetër teknologjike për të kryer një sulm në një shtet tjetër”, potencoi mes tjerash profesori Kadriu.
Ai shpjegoi më gjerësisht se cilat janë llojet e sulmeve kibernetike.
“Ka lloje të ndryshme të sulmeve kibernetike, siç janë psh. llojet e sabotazhit, nëse e marrim në atë aspektin me sulmu infrastruktura të ndjeshme, nëse sulmohen diga që janë të digjitalizuara, pjesa tjetër e infrastrukturës, vendet që prodhojnë elektricitet, atëherë sulmet e kanë një efekt madhor dhe ndikojnë në destabilizimin e një vendi komplet. Sulmet tjera janë sulme që bëhen në privatësi, psh. çdo ditë marrim emaila në spam të tilla sikurse keni fituar lotarinë ose jeni bërë milioner, edhe këto janë sulme që tentojnë me i marrë të dhënat tona që me përfitu nga ne në aspektin financiar. Sulme të tjera janë edhe sulmet e privatësisë, sulmet e krijuara gjenetikisht ose të modifikuara siç janë virusat e ndryshëm, pastaj spyware që e kanë kryer rolin e spiunazhit, ka edhe sulme që bëhen edhe për pengimin e realizimit të një pune të caktuar, ndalet infrastruktura e një vendi”, tha ndër të tjera profesori i UBT-së.
Sipas tij, shtetet që sulmojnë më shumë janë Rusia, Irani e Kina, ndërsa shtetet që përballen me sulme më të shpeshta kibernetike janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli dhe shtetet evropiane ku hyn edhe Kosova. As kjo e fundit nuk qëndron në nivel të dëshirueshëm për shkak se nuk ka domain të vetin dhe as ligj për mbrojtje nga sulmet kibernetike.
“Kosova përballet me sulme prej hakerëve të ndryshëm për shkak që nuk ka një domain të vetin, nuk ka CyberDefense adekuat, sulmet kryhen çdo ditë, varet tash edhe nga intensiteti i sulmeve dhe dëmi që shkaktohet”, deklaroi ai.
Ai sugjeron se edukimi mbi sulmet e tilla duhet të fillojë që nga shkollimi fillor, të mos nënvlerësohet rrezikshmëria e tyre, meqë sipas tij, ato e afektojnë jetën tonë më shumë sesa sulmet tjera./UBTNews/
Jonila Berisha, studente në Shkenca Politike në UBT