UBT News

Rutte: Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për Banjskën

NATO është e përkushtuar ndaj Kosovës dhe fakti që jam këtu e dëshmon këtë më së miri. Këtë mesazh e dha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në një intervistë ekskluzive për Radiotelevisionin e Kosovës.

“Së fundmi kemi shtuar praninë e trupave të KFOR-it në Kosovë, kemi katërfishuar praninë e ushtarëve në veri, kemi trefishuar praninë fizike të KFOR-it në veri, kjo është dëshmi se KFOR-i dëshiron të jetë prezantues i stabilitetit, jo vetëm në Kosovë, por edhe ne rajon”, tha Rutte.

Ai thotë se e kupton ambicien e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO, por fillimisht, sipas tij, duhet të adresohen disa çështje, sikurse vendet anëtare të Aleancës që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

I pyetur se si i sheh shqetësimet e liderëve kosovarë, të cilët Serbinë e konsiderojnë rrezik të përhershëm në raport me Kosovën dhe stabilitetin në vend dhe rajon, Rutte ritheksoi se ai është i përkushtuar në të qenit neutral, por ka përmendur nevojën që Serbia të japë përgjegjësi për atë që ka ndodhur në 2023-ën.

Ai thotë se i ka përcjellë mesazhet e tij si te liderët e Kosovës, ashtu edhe ata serbë, se duhet të ecin përpara në ndërtimin e raporteve të mira ndërfqinjësore.

“Do të ishte mirë që dialogu të rifillonte sërish, Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për atë që ndodhi në 2023-ën, por është e rëndësishme për Kosovën të përmbahet nga veprimet e njëanshme. Ndërtimi i mirëbesimit është i rëndësishëm, kjo do të ishte bazë e mirë për diskutime të vazhdueshme, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të mirë që janë përcaktuar për dialogun Kosovë-Serbi”, ka shtuar Rutte.

I pyetur nëse paralajmërimi se SHBA mund të zvogëlojë praninë e trupave ne Evropë, mund të çojë në tërheqjen e trupave amerikane të KFOR-it nga Kosova, Rutte tha se SHBA është e përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor dhe ata duan të sigurohen se ky rajon të jetë stabil.

Exit mobile version