Të paktën 12 persona kanë mbetur të vdekur në Kiev dhe rrethinat e tij gjatë natës, ndërsa kryeqyteti i Ukrainës përballoi natën e gjashtë rresht të sulmeve ruse me dronë dhe raketa, të cilat synojnë shkatërrimin e infrastrukturës dhe uljen e moralit të qytetit.
Oshëtimet e alarmit ajror vazhduan për orë të tëra dhe kulmuan me një valë goditjesh rreth orës 2:30 të mëngjesit. Të paktën tetë persona u raportuan të vdekur brenda në Kiev — përfshirë shtatë viktima në një depo hekurudhore në bregun e majtë të qytetit — si dhe katër të tjerë në rajonin përreth.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se gjatë sulmit u përdor “një numër i madh dronësh me motor me reaksion dhe raketash balistike”, duke shtuar se Rusia po shfrytëzon mungesën e raketave mbrojtëse amerikane të sistemit Patriot.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zelenskyy u shpreh: “Rusia gjithmonë i planifikon sulmet e saj posaçërisht për të shkaktuar sa më shumë shkatërrim në jetët e njerëzve, dhe këtë arrin ta bëjë vetëm atëherë kur kapacitetet e mbrojtjes ajrore janë të pamjaftueshme”.
Kievi dhe qytezat e fshatrat përreth janë përballur me sulme të vazhdueshme ditët e fundit. Të enjten, 38 persona humbën jetën pasi një dron rus goditi një depo municioni në Myla (24 km në perëndim të Kievit), goditje kjo që shkaktoi shpërthime të njëpasnjëshme për orë të tëra dhe dëmtoi shtëpitë përreth.
Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se Rusia kishte goditur 28 lokacione, me fokus kryesor qytetet e Kievit, Odesës dhe rrethinat e tyre. Mbrojtja ajrore arriti të rrëzonte pesë raketa balistike Iskander, dy raketa Banderol, pesë raketa kruz Kalibr si dhe 187 nga 218 dronët e lëshuar. Zyrtarët ukrainas nuk e bëjnë më të ditur numrin e përgjithshëm të raketave të lëshuara.
Drejtori ekzekutiv i Hekurudhave të Ukrainës, Oleksandr Pertsovskyi, konfirmoi se gjashtë nga shtatë personat e vrarë në depo ishin punonjës të rrjetit hekurudhor, ndërsa një tjetër mbeti i hospitalizuar.
Kievi vuan nga një mungesë kronike e sistemeve të mbrojtjes ajrore që prej ndërprerjes së furnizimit me raketa Patriot nga SHBA-ja. Patriotët janë e vetmja armë që mund të ndalojë me efikasitet raketat balistike ruse të shpejtësisë së lartë, të cilat prodhohen me një normë prej rreth 60 copë në muaj.
Kompania amerikane Lockheed Martin prodhon rreth 600 raketa mbrojtëse Pac-3 në vit, por rezervat ushtarake të SHBA-së janë reduktuar përgjatë luftës amerikane me Iranin. Ukraina po përpiqet të sigurojë një rezervë prej rreth 300 raketash për dimrin, të financuara nga aleatët evropianë përmes një marrëveshjeje furnizimi të dakorduar me SHBA-në.
Moska duket se po përpiqet të shfrytëzojë këtë mungesë të mbrojtjes ajrore përpara ardhjes së dimrit, duke përshkallëzuar konfliktin i cili mbetet pothuajse i bllokuar në vijën e frontit. Në anën tjetër, Ukraina po përgjigjet duke goditur rafineritë e naftës, depot dhe objektet e tjera ushtarake thellë brenda territorit rus, me synim dëmtimin e ekonomisë së këtij shteti. /The Guardian/
