UBT News

Rusia sulmon Ukrainën me raketa balistike dhe dronë: Të paktën 14 të vrarë në Kjiv

Rusia ka sulmuar Ukrainën me raketa balistike dhe dronë, duke lënë të paktën 14 persona të vrarë dhe të paktën 22 të plagosur, në një nga sulmet më mortore në të gjithë Kyivin këtë vit.

Gjatë sulmit, i cili nisi pas mesnatës të së mërkurës, kreu i administratës ushtarake të Ky, Timur Tkachenko, deklaroi se “armiku po sulmon sërish në mënyrë masive rajonin e Kyivit”.

Sirenat e alarmit për sulm ajror mbetën të aktivizuara për më shumë se një orë, ndërsa valë raketash balistike goditën qytetin dhe rrethinat e tij. Administrata ushtarake e Kyivit bëri të ditur se bombardimet dëmtuan ndërtesa banimi dhe magazina.

Tkachenko njoftoi se nëntë persona u vranë në rrethin e Boryspilit, katër në rrethin e Buchas dhe një në rrethin e Fastivit.

Ukraina u ka bërë thirrje aleatëve për më shumë sisteme mbrojtëse raketore Patriot të prodhuara në SHBA, për t’u mbrojtur nga sulmet balistike ruse.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë deklaroi se ka goditur qendra logjistike dhe furnizimi në Kyiv dhe në rajonin përreth.

“Këto qendra ishin të përfshira në ruajtjen dhe dërgimin e armëve të ndryshme e furnizimeve ushtarake, si dhe në prodhimin dhe shpërndarjen e mjeteve ajrore pa pilot”, thuhet në deklaratën e saj.

Po ashtu, ministria ruse pretendoi se ka goditur edhe tri anije cargo “që po transportonin armë dhe pajisje ushtarake” afër portit të Detit të Zi në Odesa.

Kryetari i Bashkisë së Kyivit, Vitali Klitschko, tha se ka frikë se njerëzit mund të kenë mbetur të bllokuar nën gërmadha pas goditjeve në qendër të qytetit.

Aktiv në rrjetin Telegram, ai bëri të ditur se katër nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.

“Armiku po godet sërish me vetëdije civilët dhe infrastrukturën civile”, deklaroi administrata ushtarake e Kyivit.

Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Kyivit javët e fundit, ndërkohë që edhe Ukraina ka shtuar sulmet e saj ndaj infrastrukturës civile ruse, përfshirë impiantet energjetike.

Gjithashtu, ajo ka goditur vazhdimisht magazina, përfshirë ato të gjigantit rus të tregtisë elektronike Wildberries. Pesë persona u vranë dhe 10 u plagosën në rajonin e Moskës të martën në mëngjes, gjatë sulmeve më të fundit ndaj depove.

Një ditë më parë, zyrtarët rusë tha se shtatë persona u vranë dhe 58 u plagosën pasi një dron goditi një plazh të populluar në rajonin jugor të Krasnodarit.

Ndërkohë, Ukraina shprehu revoltë për një video ku shihet një burrë i ndjekur nga një dron në Kherson, duke e quajtur atë një “gjueti” dhe “safari” të qëllimshëm ndaj civilëve.

Të dyja palët kanë mohuar se synojnë me vetëdije popullsinë civile. /BBC/

 

Exit mobile version