UBT News

Rusia rrit presionin ndaj medieve të pavarura, bastis shtëpitë e disa gazetarëve hulumtues

Të martën në mëngjes autoritetet ruse bastisën shtëpitë e disa gazetarëve hulumtues si dhe familjarëve të tyre, një veprim që vjen mes presionit në rritje ndaj medieve të pavarura në vend.

Policia kontrolloi apartamentin e Roman Badanin, kryeredaktorit të faqes investigative në internet “Proekt” si dhe të Maria Zholobovas, një prej gazetareve të saj. Policia ruse bastisi gjithashtu shtëpinë e prindërve të zëvendësit të Badanin, Mikhail Rubin. Ai u ndalua pranë banesës së gazetares Zholobova dhe u soll në shtëpinë e prindërve të tij.

Në llogarinë e faqes investigative “Proekt” në aplikacionin e mesazheve Telegram shkruhej se bastisjet ndodhën pasi kjo media njoftoi se do të publikonte një hetim ndaj ministrit të Brendshëm të Rusisë, Vladimir Kolokoltsev dhe pasurive të dyshuara që ai zotëron. Raporti u publikua në këtë faqe menjëherë pas fillimit të bastisjeve.

“Proekt” shkruante më vonë ku tha se të paktën dy nga tre bastisjet ishin të lidhura me një rast shpifjeje mbi një dokumentar të vitit 2017 për të cilin kishin punuar si Badanin ashtu edhe Zholobova. Dokumentari fliste rreth një biznesmeni të Shën Petersburgut me lidhje të dyshuara me krimin e organizuar, raportojnë mediet e huaja.

Badanin ishte në cilësinë e të dyshuarit në këtë çështje, i tha kanalit të pavarur televiziv rus “Dozhd” avokatja e tij Anna Bogatyryova, ndërsa Zholobova raportohet se ka statusin e dëshmitarit. Megjithatë ende nuk është e qartë se pse policia vendosi nën shënjestër zëvendësin e Badanin, Mikhail Rubin.

Gjatë muajve të fundit autoritetet ruse kanë rritur presionin mbi mediet e pavarura. Dy media të njohura të pavarura, “Meduza” dhe “Vtimes”, janë etiketuar si “agjentë të huaj”, një përcaktim që godet ato grupe, media apo individë që marrin fonde të huaja. Etikemi nënkupton vëzhgim shtesë nga ana e qeverisë dhe ka një kuptim të fortë përçmues që mund t’i diskreditojë ato.

Pas futjes në listën e “agjentëve të huaj” këtë muaj, “Vtimes” u mbyll ndërsa “Meduza” ka nisur një fushatë për të siguruar të ardhura nga shumë burime.

Rusia e ka përdorur ligjin për të vendosur gjoba të rënda ndaj Radios Evropa e Lirë financuar nga Shtetet e Bashkuara për atë që e ka cilësuar mosidentifikimin e materialeve të saj si të prodhuara nga “agjentë të huaj”. Radio Evropa e Lirë ka kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Në fillim të këtij viti autoritetet ruse bastisën gjithashtu shtëpinë e e një gazetari të njohur investigativ, Roman Anin-it, dhe arrestuan katër redaktorë të një reviste studentore me prirje opozitare.

Të martën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov hodhi poshtë pretendimet se sulmet kanë si synim gazetarët investigativë dhe se janë një ndëshkim për punën e tyre.

Ai tha se, “ekzistojnë baza ligjore për veprime të tilla”.

Megjithatë, Peskov pranoi se Kremlini nuk kishte informacion se përse policia kishte kontrolluar banesat e gazetarëve të faqes investigative “Proekt”.

Exit mobile version