Rusia paralajmëroi të hënën organizatat amerikane të lajmeve se rrezikojnë t’u hiqet akreditimi nëse nuk përmirësohet trajtimi i gazetarëve rusë në Shtetet e Bashkuara, sipas tre burimeve me njohuri për këtë çështje.
Që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, disa media shtetërore ruse janë penguar të veprojnë në Shtetet e Bashkuara dhe në disa shtete të tjera perëndimore duke tërhequr licencat e tyre të transmetimit dhe duke sanksionuar mediat, hapat që Moska thotë se tregojnë një shpërfillje të lirisë së medias.
Në Moskë, Presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi një ligj në mars që vendos një dënim deri në 15 vjet burg për përhapjen e qëllimshme të lajmeve të rreme për ushtrinë, duke nxitur disa media perëndimore të tërheqin gazetarët e tyre nga Rusia.
Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, njoftoi javën e kaluar se do t’i thërriste krerët e mediave amerikane për t’i njoftuar ata për masat më të rrepta në përgjigje të armiqësisë që hasën kolegët e tyre rusë në Shtetet e Bashkuara.
Në takimin e së hënës, ajo përshkroi vështirësitë për gazetarët rusë atje, duke përfshirë rinovimin e vizave, bllokimin e llogarive bankare dhe ngacmimet e supozuara nga agjencitë e inteligjencës amerikane, sipas tre burimeve me njohuri të drejtpërdrejta të takimit.
Zakharova, paralajmëroi mediat se nëse gazetarët rusë nuk do të ishin në gjendje të punonin lirshëm në Shtetet e Bashkuara, atëherë gazetarët e tyre në Rusi rrezikonin të përballeshin me vështirësi të ngjashme me vizat, akreditimin e medias dhe llogaritë bankare.
Ajo u tha përfaqësuesve të mediave amerikane se nëse gjërat nuk ndryshojnë, atëherë gazetarët amerikanë duhet të largohen. Ajo shtoi se Rusia nuk dëshironte ta bënte këtë, por po detyrohej për shkak të gjendjes së rëndë të gazetarëve rusë.
Zakharova nuk iu përgjigj një kërkese me shkrim për të komentuar takimin apo për paralajmërimin e organizatave mediatike të ShBA.
Agjencia shtetërore e lajmeve, RIA, tha se në takim morën pjesë përfaqësues të The Wall Street Journal, CNN, Associated Press, NPR dhe Alhurra TV.
Zëdhënësit e organizatave të medias amerikane si Associated Press, CNN, Washington Post dhe The Wall Street Journal nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment mbi takimin.
Uashingtoni ka vendosur sanksione kundër disa stacioneve televizive shtetërore ruse, të cilat sipas tij kanë përhapur dezinformata për të forcuar luftën e Rusisë në Ukrainë. Zyrtarët rusë nuk i përdorin fjalët pushtim apo luftë.
Zyrtarët rusë, përfshirë ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov dhe Zakharova, thonë se mediat perëndimore kanë dhënë një tregim tepër të pjesshëm të asaj që ata e quajnë operacion special të Rusisë në Ukrainë, që shpërfill shqetësimet e Rusisë për zgjerimin e NATO-s dhe persekutimin e supozuar të rusishtfolësve.
Ndërkohë që disa organizata të medias perëndimore janë larguar nga Rusia, të tjera, përfshirë Reuters, kanë qëndruar në vend dhe vazhdojnë të raportojnë. /UBTNews/