UBT News

Rusia nis sulmin e saj më të madh me dronë dhe raketa kundër Ukrainës

Ukraina pretendoi sot se Rusia nisi sulmin e saj më të madh me dronë dhe raketa gjatë natës që nga fillimi i pushtimit në shkurt 2022, mes përshkallëzimit të sulmeve ruse dhe një ngërçi diplomatik.

Ky raund i ri sulmesh vjen pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi të hënën se po dërgonte “më shumë armë” në Kiev, kryesisht armë “mbrojtëse”, dhe të nesërmen akuzoi Vladimir Putinin se po fliste “budallallëqe” për Ukrainën.

Rusia nisi 728 dronë dhe 13 raketa”, sipas Forcave Ajrore Ukrainase, të cilat pretenduan se kishin kapur ose shkatërruar përkatësisht 711 dhe shtatë prej tyre.

Sulmet e natës lanë një person të vdekur në rajonin Khmelnytskyi (perëndim) dhe tetë të plagosur në Kiev, Sumy (verilindje), Zaporizhzhia (jug) dhe Kherson (jug), sipas autoriteteve lokale.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili mbërriti sot në Romë për bisedime me homologun e tij italian, Sergio Mattarella, papa Leonen XIV dhe të dërguarin e SHBA-së Keith Kellogg, denoncoi refuzimin e Rusisë për të rënë dakord për një armëpushim.

Ai bëri thirrje edhe një herë për “sanksione të ashpra” kundër Moskës dhe ekonomisë së saj, veçanërisht sektorit të naftës, “i cili ka ushqyer makinën e luftës së Moskës për më shumë se tre vjet”.

Të gjithë ata që duan paqe duhet të veprojnë”, këmbënguli ai.

Kievi ka akuzuar edhe Pekinin për shumë muaj se furnizon Moskën me pjesë thelbësore për programin e raketave dhe dronëve të Rusisë dhe do të donte të shihte sanksione perëndimore kundër Kinës. Shërbimi i Sigurisë Ukrainase (SBU) njoftoi sot arrestimin e dy shtetasve kinezë, babë dhe bir, të dyshuar për spiunazh në lidhje me prodhimin e raketave ukrainase kundër anijeve “Neptune”.

Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se kishte shënjestruar dhe “goditur” disa objekte të aviacionit ushtarak në Ukrainë gjatë natës, përveç rrëzimit të 86 dronëve ukrainas në territorin e saj. Ndërkohë, sulmet ruse vranë tetë civilë sot në mëngjes në rajonin e Donetskut në Ukrainën lindore, sipas zyrës së prokurorit rajonal./atsh

Exit mobile version