Rusia i dha dritën jeshile përdorimin e vaksinës së saj Sputnik light që vjen me një dozë, një lëvizje kjo që pritet t`i japë një shtysë të fortë furnizimit me vaksina sidomos në vendet ku përhapja e infeksionit po njeh rritje.
Fondi rus i investimeve direkte njoftoi se Sputnik Light ka një efikasitet të masës 79.4% dhe mund të kushtojë më pak se 10 dollarë doza. përdorimi i vaksinës një dozëshe, sipas autoriteteve ruse do të ndihmojë në imunizimin e një numri më të madh njerëzish brenda një kohe më të shkurtër.
Putin deklaroi më herët se vaksina ruse ishte po aq e besueshme sa një kallashnikov, arma legjendare e periudhës sovjetike që ende edhe sot përdoret gjerësisht nëpër botë.
Kritiket ishin skeptikë kur Sputnikut iu dha nxitimthi aprovimi nga rregullatorët në Moskë për përdorim vitin e kaluar. Megjithatë, testimet e fundit kanë treguar se ajo ofron vërtet nivele të larta mbrojtjeje kundër Covid 19. Varianti me dy doza i Sputnikit është autorizuar tashmë në dhjetëra vende anekënd globit.