Autori Salman Rushdie po bën më mirë pas sulmit ndaj tij pesë muaj më parë, megjithatë ai nuk do të marrë pjesë në promovimin e romanit të tij të ri, konfirmoi agjenti i tij.
Rushdie e shkroi romanin “Victory City” para sulmit në Institutin Chautauqua në shtetin e New York-ut. Prej lëndimeve ai humbi njërin sy dhe iu paralizua njëra dorë. Ky është romani i tij i parë që u publikua që atëherë.
Agjenti i autorit, Andrew Wylie tha se “rimëkëmbja e autorit po përparon, por ai nuk do të bëjë asnjë paraqitje publike për të promovuar romanin e tij të ardhshëm”.
Publikimi i romanit më 9 shkurt do të shënohet me një ngjarje online falas me autorët Margaret Atwood dhe Neil Gaiman. Ngjarja e dytë do të mbahet në Bristol më 21 shkurt, me një panel të përbërë nga Darran Anderson, autor i “Imaginary Cities”, gazetarja hulumtuese Sian Norris dhe avokatja e të drejtave të njeriut, Susie Alegre. Edhe festivali Hay po planifikon të shënojë me një ngjarje promovimin e librit më 1 qershor.
Edhe pse autori nuk do të marrë pjesë në ngjarje, ai ka shkruar në Twitter për librin, duke ndarë imazhe të kopertinave në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Llogaria e tij në Twitter ishte joaktive për një periudhë pas sulmit, megjithëse autori filloi të postonte sërish në fund të vitit të kaluar./UBTNews/