Luis Rubiales, ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), është përjashtuar nga të gjitha aktivitetet e lidhura me futbollin për tre vjet nga Komiteti Disiplinor i FIFA-s.
Pezullimi u vendos pas puthjes që Rubiales i dha lojtares spanjolle Jenni Hermoso pas finales së Kupës së Botës për femra të këtij viti në të cilën Spanja mundi Anglinë.
“Ky rast lidhet me ngjarjet që ndodhën gjatë finales së Kupës së Botës për femra më 20 gusht 2023, për të cilën Rubiales ishte pezulluar përkohësisht për një periudhë fillestare prej 90 ditësh”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga FIFA.
Rubiales dha dorëheqje në shtator nga pozicioni i tij si president i Federatës Spanjolle të Futbollit, duke thënë se pozicioni i tij ishte bërë i paqëndrueshëm.
Jenni Hermoso, lojtarja e përfshirë në incident, më herët kishte paraqitur një ankesë ligjore për puthjen të cilën ajo e konsideroi si “të pakërkuar”.