UBT News

RTSH 62 vjet nga lëshimi i sinjalit të parë televiziv, ekspozitë me dokumente të rralla

62 vjet më parë Radio Televizioni Shqiptar lëshoi sinjalin e parë televiziv, duke çelur një epokë të lavdishme në lindjen e medias audiovizive shqiptare.

Në kalendarin e historisë së Shqipërisë, 29 prilli i çdo viti do të kujtojë këtë moment që ka ndryshuar dhe ndikuar jetën e dhjetëra krijuesve, teknikëve, artistëve, gazetarëve, muzikantëve, regjisorëve që i dhanë pasionin dhe vitet e jetës për televizionin e të gjithë shqiptarëve.

Këtë moment historik e solli për publikun, krijuesit dhe punonjësit e RTSH-se, kjo ekspozitë e hapur nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në bashkëpunim me RTSH-në, që u përzgjodh të ishte këtu në shkallët hyrëse të godinës së Radio Televizionit Shqiptar.

Ekspozita ngjalli interes të menjëhershëm nga kalimtarë të rastit, nga qytetarë të shumtë që e kanë destinacion të përditshëm kalimin para RTSH-së.

Por surprizë ishte ngacmimi që krijoi kjo ekspozitë tek kalimtarët me moshë të re. Ata që sot jetojnë epokën digjitale, u habiten sesi televizionin që e kanë në celular, 62 vjet më parë e ndërtonin këto aparatura.

RTSH ka qenë shtëpia e njerëzve që u rritën artistikisht në Shqipëri, për shumë krijues ishte porta e mundësive për të treguar atë që dinin të bënin më mirë.

Ekspozita është një hapësirë për publikun që t’u japë mundësi të gjithëve të lexojnë dokumente të kohës, ku përshkruhet sesi në Tiranën e viteve 60, 16 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore po lindte Radio Televizioni Shqiptar./RTSH/

Exit mobile version