Këtë javë por as të ardhshmen nuk do të ketë seanca plenare, ka thënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi. Sipas tij, në sallën plenare do të ketë punime për përmirësim të teknikës para seancës solemne për 25 vjetorin e çlirimit të vendit. Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ai tha se janë të gatshëm që të diskutojnë për caktimin e datës së zgjedhjeve, nëse opozita ka pajtueshmëri.
Ai para mediave theksoi se nuk ka pasur vendim tjetër në mbledhjen e sotme të kryesisë së Kuvendit.
“Salla plenare është në ndërhyrje për të përmirësuar teknikën, javën e ardhshme dhe këtë javë nuk pritet që të ketë seancë. Dhe natyrisht planifikohet që para 12 qershorit kur pritet një seancë solemne për 25 vjetorin e çlirimit të jetë gati. Nuk kishte një vendim tjetër”, deklaroi Rrustemi.
Rrustemi shtoi se nuk ka pasur kërkesë për tu renditur si pikë e rendit të ditës shpërndarja e Kuvendit.
“Nuk ka pasur asgjë konkrete dhe zyrtare, nuk ka pasur një kërkesë për tu renditur si pikë në një seancë shpërndarja e kuvendit, por e përsëris nëse opozita, komplet spektri politik, dakordohen për mënyrën e të shkuarit në zgjedhje të parakohshme nëpërmjet shpërndarjes së Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme. Në të kundërtën, vazhdon puna për të përfunduar mandatin e plot dhe natyrisht në përmbushje e programit politik dhe qeverisës në raport me zotimet e dhëna në zgjedhjet e fundit”, shtoi ai.
Nëse opozita ka pajtueshmëri, Rrustemi shtoi se Lëvizja Vetëvendosje është po ashtu e gatshme për caktimin e datës së zgjedhjeve.
“Qëndrimi i LVV-së është i qartë, është bërë i qartë gjatë gjithë kohës. Ne jemi dakord nëse ka një pajtueshmëri të gjerë të opozitës dhe të mazhorancës për një datë të caktuar për zgjedhje të parakohshme, respektivisht për shpërndarjen e Kuvendit, jemi të gatshëm që ta diskutojmë shpërndarjen e Kuvendit. Por kjo kërkon përfshirjen dhe shpërndarjen të komplet opozitës, të themi komplet spektrit politik. Sepse data e zgjedhjeve dhe zgjedhjet është një proces që përfshin të gjitha partitë politike. Nëse opozita ka pajtueshmëri për këtë gjë, ne jemi të gatshëm që të diskutojmë shpërndarjen e Kuvendit”, theksoi ai.
Pas mbledhjes së kryesisë, deputeti i LVV-së u pyet edhe për avancimin e statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
“Pa dyshim që pritshmëritë janë ato që ndërlidhen me avancimin e statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ne presim që siç e meriton Kosova në kuptimin e pozicionimit të saj si shtet por edhe në kuptimin e përmbushjes së standardeve të avancojë me statusin e anëtarit të rregullt në Asamblenë e Përgjithshme. Dhe besoj dhe presim një vendim të drejtë dhe le të themi të pa ndikuar nga diskursi i përgjithshëm politik dhe publik”, përfundoi Rrustemi.