Në një takim përmbyllës të mbajtur në Akademinë e Shkencave, redaksitë e ngritura sipas fushave paraqiten raportet për përgatitjen e fjalësit të “Enciklopedisë Shqiptare”. Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt finalizimit të këtij projekti madhor.
Skënder Gjinushi, kryetar i ASHSH dhe kryeredaktor i enciklopedisë, vlerësoi progresin e bërë, duke theksuar rëndësinë e raportimit me të dhëna numerike dhe caktimin e kriterëve të qarta për përfshirjen në fjalës. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e një disilpline të përbashkët shkencore dhe kalendarike, duke inkurajuar shmangien e pseudokritereve dhe respektimin e ekuivalencës, shkruan ATA.
Dr. Arian Leka, përgjegjës i botimeve enciklopedike, raportoi për përditësimin e të dhënave dhe bashkimin e listave nga 14 redaksi fushash, duke përfshirë fusha si komunikimi, gjeologjia, matematikë-fizika dhe informatika, ndër të tjera.
Ndërkohë, 11 redaksi të tjera janë në proces të përfundimit të fjalësit dhe përputhjes së tij me udhëzimet e Redaksisë Qendrore. Këto përfshijnë redaksi në fusha si arkeologjia, letërsia, trashëgimia kulturore dhe identiteti kombëtar, dhe ekonomia.
Një sfidë mbetet shmangia e mbivendosjeve, që kërkon bashkëpunim të ngushtë midis redaksive me tematika të ngjashme. Përkundër disa vështirësive, ka një tendencë të përgjithshme pozitive drejt përmbushjes së synimit për një fjalës prej 10 mijë njësish enciklopedike.
Takimi i sotëm theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit midis redaksive të Shqipërisë dhe Kosovës për të arritur një fjalës të përbashkët dhe gjithëpërfshirës, duke reflektuar një kontribut të pavarur dhe të ri në fushën e enciklopedisë./UBTNews/