Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë dhe hapi një kapitull të ri në historinë e saj. Ajo ditë shënoi përmbylljen e një rrugëtimi të gjatë dhe të dhimbshëm, me sakrifica të mëdha, dëshmorë e civilë të vrarë, persona të zhdukur dhe gra të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës. Kujtesa për ta mbetet themeli moral i shtetit dhe frymëzimi për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë.
Sot, 18 vjet më pas, Kosova është njohur nga me shumë se 100 shtete në botë. Vetëm gjatë vitit të fundit, njohje të reja kanë ardhur nga Kenia, Sudan, Siria dhe Bahamas, duke forcuar pozicionin e vendit në arenën ndërkombëtare dhe duke dëshmuar se pavarësia është një realitet i pranuar në botë.
Por Kosova nuk shquhet vetëm në diplomaci. Sporti, arti dhe kultura po thyejnë kufij që politika shpesh nuk i kapërcen dot. Flamuri i Kosovës valëvitet në arenat më të mëdha ndërkombëtare, ndërsa artistë dhe krijues nga vendi po ndërtojnë ura lidhjeje me botën, duke treguar se talenti dhe kreativiteti mund të sfidojnë çdo barrierë.
Ky përvjetor e gjen Kosovën edhe në një kapitull të ndjeshëm të historisë së saj. Ish-krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës po përballen me drejtësinë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Për shumë qytetarë, ky proces prek plagët e luftës dhe sakrificën e popullit, duke nxitur protesta dhe debat publik mbi drejtësinë e kesaj gjykate.
Në 18-vjetorin e saj, Kosova qëndron mes kujtesës dhe të ardhmes, duke nderuar sakrificën, duke festuar arritjet dhe duke vazhduar përpjekjet për ta afirmuar vendin e saj në botë. Rruga drejt lirisë dhe pavarësisë vazhdon, dhe çdo sukses i sportistëve, artistëve dhe qytetarëve të Kosovës është dëshmi se vendi ka një zë të fuqishëm që refuzon të heshtë.
