UBT News

Rrufeja godet fushën gjatë ndeshjes, humb jetën një futbollist

Një ngjarje tragjike ka ndodhur gjatë një ndeshjeje futbolli në Tajlandë, ku një rrufe goditi fushën e lojës, duke shkaktuar vdekjen e një futbollisti dhe plagosjen e 12 personave të tjerë.

Sipas raportimit të The Sun, momenti i rëndë është kapur edhe në video. Pamjet tregojnë dy skuadrat duke vazhduar lojën pavarësisht kushteve të pafavorshme atmosferike, kur papritur një rrufe e fuqishme godet fushën, duke ndriçuar zonën me një shkëndijë të fortë dhe duke krijuar flakë e tym në vendin e goditjes.

Viktima është identifikuar si Safwan Awae, 24 vjeç, i cili u godit drejtpërdrejt nga rrufeja. Pavarësisht përpjekjeve të bashkëlojtarëve për t’i dhënë ndihmën e parë dhe për ta mbajtur në jetë deri në mbërritjen e ekipeve mjekësore, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Pas goditjes, në fushë u krijuan skena paniku, me lojtarët dhe shikuesit që vrapuan për t’u larguar nga zona, ndërsa të plagosurit u transportuan për trajtim mjekësor.

Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te rreziqet e zhvillimit të aktiviteteve sportive në kushte të motit të rënduar, veçanërisht gjatë stuhive me shkarkesa elektrike.

D.L

Exit mobile version