Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren ka reaguar ashpër ndaj vonesave në procesin e ndarjes së subvencioneve kulturore për vitin 2026, duke akuzuar Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport për neglizhencë dhe mungesë transparence.
Në reagimin e titulluar “Neglizhenca e Komunës së Prizrenit godet skenën e pavarur kulturore”, Rrjeti ka shprehur shqetësimin dhe pakënaqësinë e tij për zvarritjen e procesit të subvencionimit, duke vlerësuar se kjo situatë po dëmton organizatat që prej vitesh kontribuojnë në zhvillimin kulturor dhe turistik të qytetit.
“Kultura nuk është lëmoshë, por identiteti i Prizrenit! Mjaft më me injorim administrativ”, thuhet në reagimin e publikuar të mërkurën.
Sipas Rrjetit, organizata me kontribut të dëshmuar në promovimin e trashëgimisë kulturore dhe diversitetit të qytetit janë lënë jashtë mbështetjes institucionale pa kritere të qarta dhe transparente.
“Zbehja e qëllimshme e mbështetjes në vitin 2026 nuk është thjesht një dështim administrativ. Kjo është një goditje direkte ndaj skenës së pavarur kulturore, autonomisë sonë operative dhe zërit kritik të organizatave që kanë ndërtuar dhe mbajtur gjallë frymën e këtij qyteti”, thuhet më tej në reagim.
Rrjeti ka kërkuar publikimin e menjëhershëm të listës përfundimtare të përfituesve, shqyrtim transparent dhe profesional të ankesave të paraqitura, si dhe rishikim të buxheteve të ndara për organizatat kulturore.
“Nuk ka më vend për vonesa dhe premtime boshe. Presim zgjidhje të drejtë dhe institucionale tash”, theksohet në reagim.
Komuna e Prizrenit më 25 maj kishte publikuar listën preliminare të organizatave dhe individëve që kanë aplikuar për subvencione kulturore, ku figurojnë 63 përfitues. Megjithatë, shumat e ndara nuk janë bërë publike, ndërsa lista përfundimtare pas shqyrtimit të ankesave ende nuk është publikuar.
Për këtë çështje, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, nuk ka dhënë ende një qëndrim publik.
Pakënaqësitë e sektorit kulturor ndaj politikave komunale nuk janë të reja. Edhe festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër DokuFest kishte kritikuar vitin e kaluar Komunën për uljen e mbështetjes financiare, duke e cilësuar atë si një goditje ndaj themeleve kulturore të qytetit.
Sipas organizatorëve, mbështetja komunale për “DokuFest” ishte zvogëluar për afro 30 për qind krahasuar me vitin paraprak, pavarësisht rritjes së buxhetit të përgjithshëm për kulturë. Në vitin 2025 festivali ishte subvencionuar me 51 mijë euro, ndërsa ngjarje të tjera kulturore kishin përfituar shuma dukshëm më të larta nga buxheti komunal.
Reagimi i fundit i Rrjetit të Organizatave të Kulturës konsiderohet ndër më të ashprit e viteve të fundit dhe reflekton tensionet e vazhdueshme mes skenës së pavarur kulturore dhe institucioneve komunale në Prizren.
