Qytetarët që jetojnë në disa zona të Prishtinës dhe Graçanicës janë udhëzuar të mos e përdorin ujin për pije, pas rritjes së përqendrimit të manganit në rrjetin shpërndarës që furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit.
Sipas komunikatës së përbashkët nga IKSHPK dhe KRU “Prishtina”, analizat e fundit laboratorike kanë treguar rritje të nivelit të manganit në ujin e liqenit Badoc dhe në rrjetin e furnizimit.
Zonat e prekura përfshijnë: Graçanicën dhe fshatrat përreth, Hajvalinë, Veternikun, Lagjen 038, Lagjen Qëndresa, Qëndresa Home, Swiss Village, fshatin Preoc, Çagllavicën, rrugët Behar Begolli, Richard Holbrooke, Shkupi, Holger Petersen, Malush Kosova, Lagjen Qershia, Lagjen NIC, Matiçanin, fshatin ndërkombëtar, rrugën Muharrem Fejza, Enver Maloku, Lagjen Kodrina, objektet Tregtia, Iliria Building, Standardi, dhe zona të tjera si Bregu i Diellit (qendra dhe rreth Albi Mall), shkolla Ismail Qemali, rrugët Mehmet Gradica, Hyzri Talla, Qamil Bala, dhe pjesa “te Xhambazët”.
Edhe pse kjo tejkalon kufijtë teknikë të cilësisë së ujit për konsum, deri tani niveli nuk ka arritur në pragun e rrezikshëm për shëndetin.
Megjithatë, si masë parandaluese, qytetarët këshillohen që të mos e pijnë ujin deri në njoftimin e radhës.
IKSHPK thekson se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin, pasi bëhet fjalë për ndotje kimike.
Uji mund të përdoret vetëm për pastrim dhe mirëmbajtjen e higjienës personale e ambientale.