UBT News

​Rritet varfëria në Kosovë, kaq familje jetojnë me 1.85 euro në ditë

Varfëria në Kosovë po vazhdon të rritet nga viti në vit, kështu duke bërë më të vështirë edhe gjendjen sociale të familjeve në nevojë. Sipas raportit të fundit nga UNDP-ja për vitin 2023, varfëria në Kosovë është rritur për 16 për qind, për çka ka rënie edhe të rritjes ekonomike. Derisa nevojat bazike të qytetarëve janë rritur, të hyrat sociale për familje janë të njëjta. Lidhur me këtë situatë, njëjtë thonë organizata humanitare në Kosovë, Kryqi i Kuq. Teksa potencojnë se nevojat elementare për familje nuk po arrijnë të përmbushen për shportën familjare, pasi që çdo komunë në Kosovë ka raste të varfërisë.

Ndërkaq ekonomistët vlerësojnë se papunësia dhe mungesa e indeksimit në treg janë shkaqe për nivelin e lartë të varfërisë në Kosovë.

Menaxherja e projektit të “Pulsit Publik”, Alisa Hasani thekson se nga të gjeturat kryesore të anketës për mirëqenien ekonomike të familjeve, rezulton se varfëria në Kosovë është në rritje dukshëm këtë vit. Ajo tha se derisa familjet në vitin 2021 kanë shpenzuar 200 euro në muaj për nevoja ushqimore, në vitin 2023 shpenzojnë më shumë për shkak se rritja e çmimeve ka ndikuar në mirëqenien e tyre.

“Ne në korrik të vitit 2023 e kemi mbajt një anketë me 1500 ekonomi familjare për me e pa deri çfarë mase inflacioni kanë ndikuar në ekonomitë, në mirëqenien ekonomike të qytetarëve të Kosovës. Të gjeturat kryesore kanë qenë se përderisa të hyrat ekonomike nuk janë rritur në treg vitet e fundit, shpenzimet për nevoja bazike janë rritur shumë, p.sh. nëse flasim për shpenzimet në ushqim derisa në vitin 2021, 38 për qind të ekonomive familjare i kanë shpenzuar mbi 200 euro në muaj për ushqim, në vitin 2023 ky numër i familjeve ekonomike është rritur 59.5 për qind, që kanë shpenzuar mbi 200 euro në muaj për nevoja ushqimore. Nga rezultatet që i kemi marrë kemi parë që 20 për qind të ekonomive familjare janë më të varfra në vitin 2023 nëse i krahasojmë me dy vitet e mëparshme , 16 për qind të ekonomive familjare jetojnë nën nivelin e varfërisë që i bie 1.85 euro në ditë. Po nëse e krahasojmë me viti 2023 ku ekonomitë familjare që anë jetuar nën nivelin e varfërisë, ka qenë 14.65 , sipas rezultateve tona në vitin 2023 niveli për ekonomitë familjare që jetojnë nën nivelin e varfërisë është 16 për qind. 03:13 Rritja e çmimeve ka ndikuar negativisht në jetën, në mirëqenien e tyre për shkak se iu ka rritu niveli stresit, ankthit”, tha Hasani.

Po ashtu, nga Kryqi i Kuq, Armend Shala thotë se kërkesat nga familjet në nevojë janë të shumta, gjë për të cilën është e pamundur përmbushja e tyre. Sipas tij, të gjitha komunat në Kosovë kanë raste të familjeve të varfëra.

“Nga viti në vit që nga pak a shumë e njëjtë, ndoshta periudha e fund vitit ose periudha e dimrit është një periudhë që e bënë pak me u rrit kërkesat, si për veshmbathje, si për ushqime po ashtu edhe kërkesat për drunjtë dhe ngrohje, ose materiale për ngrohje. Për arsyeje se edhe mundësia për me punu çoftë edhe ditore në këtë periudhë është më e limituar dhe bënë që kërkesat me u shfaqë më shumë. Ne prioritet i japim rastet, të grave kryefamiljare, i japim prioritet kësaj dhe e kemi një grup të cakut, personat e moshuar të vetmuar pa përkujdesje familjare. Kemi diku rreth 500 persona që ndihmojmë vazhdimisht, pa përjashtuar edhe familjet e tjera të cilat kanë nevojë.Kërkesat janë nga të gjitha komunat me raste të ndryshme, nuk ka komunë që ka raste të theksuara, por relativisht e njëjtë në të gjitha komunat.Kur ka ndonjë familje të caktuar që komuna nuk mundet me mbuluar me nevojat e tyre, me aq sa kemi mundësi mundohemi që të dalim në ndihmë secilës familje me aq sa kemi kapacitete. Nuk kisha thënë që po përmbushet ndoshta nevojat elementare, po mundohemi të gjejmë këtyre familjeve, sepse kërkesat janë vazhdimit në rritje, por nuk kisha thënë që mundet me u përmbush, plotësisht”, tha Shala.

Njohësi i çështjeve sociale, Artan Mustafa arsyen e varfërisë në Kosovë e konsideron shkallën e ulët të papunësisë. Ai tha se Kosova ka shkallën më të ulët të punësimit dhe për këtë shkak shumë familje kanë nevojë për ndihma sociale, por se edhe ato nuk mbulojnë të gjitha familjet.

“Inflacioni e ka rritur, nevojën e familjeve me shpenzuar më tepër për shpenzimin e zakonshëm që kanë, do të thotë jetesa është bërë më e kushtueshme, tash nëse jetesa është bërë me e kushtueshme për shkak të inflacionit atë herë vështirësitë prekin grupet shoqërore të cilat janë më fragjile, nuk kanë akses në shërbimet, mundësit e ndryshme që i ofron sistemi bankar, kredi dhe të ngjashme. E kanë shumë më të vështire qasjen në transport dhe në mundësi tjera, në anën tjetër skema e ndihmës sociale në Kosovë siç dihet është tejet e kufizuar, mbulon vetëm diku 25% deri 30% të popullatës e cila gjendet në varfëri do të thotë pjesa më e madhe e të varfërve nuk mbulohen prej skemës së ndihmës sociale. Shkaktari kryesor për varfërinë në Kosovë dihet është shkalla e ulët e punësimit, Kosova ka shkallën më të ulët të punësimit. Shumë vende kanë indeksim dhe i përshtatet ndryshimeve ne treg, për shkak se mungon indeksimi, ndërsa tek ne shumë nga pagesat e skemave kanë mbet të njëjta përkundër që çmimet janë ngritur”, tha Mustafa.

Në një përgjigje me shkrim nga Agjencia e Statistikave në Kosovë, sa i përket të dhënave të fundit për njerëzit që jetojnë në varfëri u tha se derisa në vitin 2016 ka qenë në ulje 38.6%, në vitin 2017 ka përfunduar me 47.2% në rritje.

Exit mobile version