UBT News

Rritet transparenca buxhetore në komuna: 10 prej tyre arrijnë pikët maksimale në Indeksin e vitit 2025

Nivelit i transparencës buxhetore në komunat e Kosovës ka shënuar një përmirësim të përgjithshëm gjatë vitit 2025, ku mesatarja e pikëve ka arritur në 64.5, krahasuar me 61 pikë që ishte në vitin 2024. Sipas gjetjeve më të reja, ky është rezultati më i lartë i regjistruar që nga viti 2017, kur filloi vlerësimi sistematik nga Instituti GAP.

Gjatë këtij viti, dhjetë komuna kanë arritur rezultatin maksimal prej 100 pikësh. Përveç Kaçanikut, Mitrovicës së Jugut, Prizrenit, Rahovecit, Shtimes dhe Vushtrrisë që kanë ruajtur performancën e vitit të kaluar, rritje të dukshme kanë shënuar Obiliqi, Ferizaj dhe Deçani. Veçanërisht Obiliqi ka bërë një kthesë të madhe duke u ngritur nga 40 pikë në 100, ndërsa Ferizaj është ngjitur nga 47.5 pikë në maksimumin e pikëve, falë publikimit të të gjitha dokumenteve dhe përmirësimit të formatit të tyre. Progres të theksuar kanë pasur edhe Gjilani, i cili u ngrit nga 53.5 në 97 pikë, si dhe Gjakova nga 52 në 92.5 pikë.

Përkrah arritjeve, disa komuna kanë shënuar rënie të theksuar në renditje. Vitia ka pësuar rënien më të madhe duke kaluar nga 90 në 55 pikë, Mitrovica e Veriut ra nga 71 në 42 pikë, ndërsa Lipjani zbriti nga rezultati maksimal prej 100 pikësh në 85. Ulje të pikëve kanë pësuar edhe Klina, Skënderaj dhe Malisheva, ndërsa në fund të listës vazhdojnë të mbeten komunat me shumicë serbe si Kllokoti, Leposaviqi, Parteshi, Shtërpca, Zubin Potoku dhe Zveçani, të cilat renditen me pikë minimale apo pa pikë fare.

Raporti veçon se transparenca financiare është forcuar kryesisht në publikimin e raporteve tremujore, kornizës afatmesme buxhetore dhe rregulloreve për subvencione, mirëpo ka pasur rënie në publikimin e projekteve buxhetore për vitin pasardhës dhe në organizimin e dëgjimeve publike me qytetarë. Sa i përket Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor, vetëm 19 nga 38 komuna kanë publikuar dokumentet përkatëse, ku 10 prej tyre kanë filluar zbatimin këtë vit, ndërsa 6 të tjera e kanë ndërprerë këtë praktikë.

Për të siguruar një llogaridhënie të qëndrueshme, rekomandohet rishikimi i bazës ligjore që obligon komunat t’i publikojnë dokumentet në formate të hapura (si Excel apo Word) dhe jo si PDF të skanuara. Gjithashtu kërkohet rritja e numrit të obligueshëm të dëgjimeve publike, publikimi i rregullt i listave të përfituesve të subvencioneve, si dhe bërja publike e kontratave të nënshkruara me operatorët ekonomikë dhe kartelave analitike të shpenzimeve. /E.A/

Exit mobile version